Shqipëri-Serbi, bashkë në futboll/ Dy vendet pritet të organizojnë finalet e “Euro 2027” për U21

schedule14:14 - 27 Shtator, 2024

schedule 14:14 - 27 Shtator, 2024

Thuhet se koha është ilaçi më i mirë për të shëruar plagët. Edhe “armiqësitë” zbehen me kalimin e viteve. Kështu duket se ka ndodhur mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj të Serbisë.

Këto të fundit kanë hedhur pas krahëve skandalin e Beogradit, ku më 14 tetor të vitit 2014, futbollistët e kombëtares kuqezi u dhunuan në fushë, ndërsa ndeshja e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2016” u ndërpre.

Kjo ngjarje e rëndë u shoqërua më pas me një përplasje mes dy federatave në gjyktat sportive, derisa KAS I Lozanës I dha fitoren 3-0 Shqipërisë dhe praktikisht edhe kualifikimin e parë historik në finalen e një Kampionati Europian.

Por siç thamë në fillim, të gjitha këto i përkasin së shkuarës, ndërsa tani Shqipëria dhe Serbia presin të marrin të drejtën për të organizuar bashkë finalet e Kampionatit Europian U21 të vitit 2027.

Ajo që ishte një ide është konfirmuar nga UEFA.

Në një njoftim të fundit të qeverisë europiane të futbollit thuhet se kandidatura e vetme e dorëzuar për të pritur këtë turne ishte ajo e dy vendeve ballkanikë.

Në këtë mënyrë pritet vetëm zyrtarizimi për dhënien e organizimit të “Euro 2027” për U21 Shqipërisë dhe Serbisë.

Sipas programit në fazën finale të turneut marrin pjesë 16 skuadra, ndërsa do të luhen gjithsej 31 ndeshje. Për to nevojiten tetë stadiume të nivelit A dhe për këtë arsye nevojitej ky bashkëpunim. Shqipëria ka vetëm tre të tillë, çka do të thotë se pjesa më e madhe e sfidave do të luhen në Serbi.

Gjithsesi, detajet do të zbulohen vetëm pas zyrtarizimit nga UEFA.

Organizimi i këtij kompeticioni është diçka shumë e rëndësishme ndërsa tregon se marrëdhënia mes dy federatave ka ndryshuar. Por nëse institucionalisht gjërat janë “mjaltë”, në tribunat e stadiumeve serbë sharjet dhe fyerjet raciste ndaj shqiptarëve nuk ndalen.

Rasti i fundit ishte në derbin e Beogradit, fundjavën e shkuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!