Hidhet shorti në Prokurorinë e Tiranës, ku prokuroria Elona Alvora është caktuar për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Përgjithshme të Apelit për dënimin me 1 vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji. Urdhri pritet t’i dorëzohet policisë ndërkohë që më parë deputeti do të ftohet ta zbatojë vullnetarisht.
“Sot pritet të përfundojë e gjithë procedura, çka do të thotë se Salianji do të duhet të izolohet në qeli për të vuajtur dënimin me 1 vit burg ndaj Salianjit në lidhje me audio përgjimin e publikuar prej tij që sipas gjykatave të shkallës së parë dhe të Apelit ka qenë i inskenuar. “, raportoi gazetari Ermal Vija.
Gjykata e Apelit vendosi të enjten të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Salianjin dhe dënimin e tij përfundimisht me 1 vit burg nën akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen e njohur si “Babalja”. Deputeti demokrat e cilësoi vendimin e gjykatës si politik dhe tha se do ta vazhdojë betejën nga qelitë e burgut.
Pas këtij vendimi, Salianji humbet mandatin e deputetit, dhe referuar ligjit të dekriminalizimit, nuk ka më të drejtën të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme./abcnews.al