Sipas presidentit palestinez Mahmud Abas qeveria palestineze në Bregun Perëndimor duhet të marrë në të ardhmen përsipër kontrollin e gjithë brezit bregdetar përfshirë edhe kalimet kufitare si Rafah.
Në fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Abas bëri gjithashtu thirrje për një tërheqje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës. Rripi i Gazës është shkatërruar plotësisht nga Izraeli dhe “nuk është më i banueshëm”, tha Abas.
Para luftës qeveria palestineze kontrollonte Bregun Perëndimor kurse rivali i saj Hamasi kontrollonte Rripin e Gazës.
Presidenti palestinez Abas i bërë gjithashtu thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërpresë furnizimet me armë për Izraelin. “Ndalojeni këtë krim, ndaloni vrasjen e fëmijëve dhe të grave, ndaloni gjenocidin, ndaloni furnizimin me armë për Izraelin”, tha Abasi në debatin e përgjithshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. “Kjo çmenduri nuk duhet të vazhdojë. E gjithë bota është përgjegjëse për atë që po ndodh me njerëzit tanë në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor.” – theksoi Abas.
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme është në qendër të fjalimeve të debatit të përgjithshëm dhe të takimeve në kuadrin e takimit njëjavor të OKB-së, në të cilin marrin pjesë më shumë se njëqind krerë shtetesh dhe qeverish./dw