Dikur i quajtur “shtet brenda shtet”, Hezbollahu ka patur fuqi dhe mbështetje të konsiderueshme te komuniteti libanez Shiit për dekada më radhë.
Gjatë ditëve të fundit, Izraeli ka përshkallëzuar ndjeshëm sulmet e tij në zonat shiite të Libanit, me pretendimin se Hezbollahu mban armët në zonat civile.
Këto sulme kanë lënë të vrarë qindra vetë dhe kanë detyruar zhvendosjen e mijëra civilëve, një strategji që mund të nxisë mosmarrëveshje dhe të dëmtojë marrëdhëniet mes Hezbollahut dhe bazës së tij.
“Komuniteti që mbështet Hozbollahun, nuk do që të përfshihet në një luftë tjetër, të përballet me zhvendosje, por në fakt po i përjeton të gjitha këto. Prandaj, të gjitha këto janë elementë që Hezbollahu duhet t’i marrë parasysh kur merr vendime”, shprehet Paul Salem nga Instituti për Lindjen e Mesme.
Në të shkuarën, në rastet kur ka patur rritje të tensioneve pasi Izraeli ka ndërmarrë sulme, si në luftën e 2006, sekte të tjera janë bashkuar me Hezbollahun për të bërë rezistencë.
Por gjatë viteve të fundit, fuqia gjithnjë në rritje e Hezbollahut në Libanin e shkatërruar nga kriza ka nxitur pakënaqësi ndaj grupit.
“Izraeli po shqyrton mundësitë se si t’i zgjerojë më tej ndasitë mes komuniteteve me qëllim qëtë rritet armiqësia ndaj Hezbollahut”, shprehet Selim Maouwad, artist dhe aktivist social
Nëse sulmet do të çojnë në rritje të kundërshtisë ndaj Hezbollahut do të varet nga pozicionimi i udhëheqësve politikë libanezë.
“Përkrahja e Hezbollahut është e përkohshme. Nëse elita politike apo ndonjë sekt tjetër veç sektit Shia do të vendosë nesër ta mbështesë pa kushte Hezbollahun, atëherë, të nëjëjtën gjë do të bëjë edhe komuniteti, me përjashtim të disave”, thotë zoti Maouwad.
Nuk ka asnjë garanci se sulmet që lanë të vrarë civilë libanezë dhe detyruan banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, në fund do të çojnë në dobësim të Hezbollahut.
“Fakti që u sulmuan nga Izraeli, po çon në frikësim dhe dëshpërim të tyre, por po ashtu nxit zemërimin e tyre dhe zotimin për të mos e pranuar një gjë të tillë, Pra, nga ana praktike, kjo që po ndodh nuk do të ndryshojë qëndrimin e Hezbollahut, por mundet të ndikojë në llogaritë e grupit, siç edhe po ndodh”, thotë Paul Salem nga Instituti për Lindje të Mesme .
Sulmet në zona ku jetojnë civilë është një strategji e rrezikshme, Analistët thonë se rezultati nuk do të varet vetëm nga fakti se deri në cilën pikë mund ta çojë sulmin e tij Izraeli, por po ashtu edhe në politikën e brendshme të paprashikueshme të Libanit./VOA