Në takimin anësor të bashkëorganizuar nga Shqipëria, për situatën në Sirinë verilindore, në kuadrer të javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se institucionet shqiptare kanë adoptuar dhe zbatuar me sukses një model për identifikimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe përhapjes së radikalizmit.
“Shqipëria ka riatdhesuar vullnetarisht shumicën e grave dhe fëmijëve të shtetasve shqiptarë nga kampet siriane dhe irakiane. Kemi hartuar një program që ofron mundësi specifike për riintegrim, duke siguruar strehim, punë, dhe ndihmë për të lehtësuar integrimin e tyre të plotë në shoqëri. Është thelbësore që të vazhdojmë të promovojmë një qasje gjithëpërfshirëse, në respekt të plotë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,” tha ministri Hasani.
Në eventin anësor të nivelit të lartë “Llogaridhënie për Ukrainën”, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se procesi i llogaridhënies duhet të ecë paralelisht me përpjekjet për paqe.
“Shqipëria mbështet plotësisht procesin e mbajtjes së përgjegjësisë për agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës. Krijimi i regjistrit të dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një mekanizmi ndërkombëtar kompensimi,” tha kryediplomati shqiptar.
Ministri Hasani u shpreh se Shqipëria mbështet iniciativën e BE-së për konfiskimin e aseteve të ngrira shtetërore ruse dhe përdorimin e tyre për të adresuar pasojat e ndryshme të agresionit rus kundër Ukrainës.
Në qershor 2024, Shqipëria iu bashkua Grupit Bërthamë për llogaridhënien për krimin e agresionit kundër Ukrainës, për ngritjen e një gjykate për ndjekjen penale të krimit të agresionit.