Shtëpitë e modës Tommy Hilfiger dhe Calvin Klein vendosen nën hetim nga autoritetet kineze

schedule15:17 - 24 Shtator, 2024

schedule 15:17 - 24 Shtator, 2024

Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi se kompania amerikane e modës PVH, e cila zotëron markat Tommy Hilfiger dhe Calvin Klein, është nën hetim për shkelje të parimeve tregtare.

Në një sërë deklaratash të publikuara në internet, thuhet se ministria do të hetojë dyshimet se kjo kompani ka bojkotuar produkte nga rajoni i Xinjiang në perëndim të vendit.

“Grupi amerikan PVH dyshohet se ka shkelur parimet e tregtisë normale dhe bojkot të paarsyeshëm të pambukut dhe produkteve të tjera nga Xinjiang, duke cenuar seriozisht të drejtat dhe interesat e kompanive përkatëse kineze dhe duke rrezikuar sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës”, tha ministria.

Deklarata përmend gjithashtu se hetimi do të kryhet sipas rregullave të “listës së subjekteve të pabesueshme” të Kinës, e cila përdoret si një kundërsanksion ndaj masave të marra kundër Pekinit.

Kompanitë amerikane që blejnë veshje, pambuk dhe mallra të tjera nga Xinjiang po përballen me presionin e konsumatorëve në Perëndim për shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut dhe punën e detyruar.

Partia Komuniste në pushtet e Kinës akuzohet se mban anëtarë të grupeve etnike myslimane në kampe në këtë rajon.

Kina mohon çdo abuzim dhe pretendon se hapat që ajo ka ndërmarrë janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin dhe përhapjen e lëvizjes separatiste.

PVH pritet t’i japë informacion Kinës brenda 30 ditëve nga njoftimi i sotëm për të shpjeguar nëse ka marrë masa diskriminuese ndaj produkteve të lidhura me Xinjiang në tre vitet e fundit, thuhet në deklaratë.

PVH tha në faqen e saj të internetit se ajo është në përputhje me ligjin kudo që bën biznes, “përfshirë politikën e qeverisë amerikane në lidhje me rajonin e Xinjiang”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!