Kina i bën thirrje SHBA-së që të heqë dorë nga synimi i saj për të vazhduar vendosjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër në territorin e Japonisë, njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jien.
I pyetur në një konferencë shtypi për të komentuar synimin e SHBA-së për të vendosur raketa në Japoni, Lin tha se SHBA ka punuar në vendosjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër në rajonin Azi-Paqësor vitet e fundit.
“Një veprim i tillë do të intensifikojë trendin e garës së armëve, do të rrisë seriozisht tensionet në rajon, do të kërcënojë paqen dhe sigurinë rajonale dhe do të minojë ekuilibrin dhe stabilitetin strategjik global. Kina ka shprehur në mënyrë të përsëritur kundërshtimin e fortë ndaj saj”, tha Lin.
Ai theksoi se Kina propozon që është e nevojshme të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal dhe ndërkombëtar me veprime praktike.
“Kina do të monitorojë nga afër zhvillimin e situatës dhe do të mbrojë me vendosmëri interesat e saj të sigurisë”, përfundoi zëdhënësi./abcnews.al