Tetë të vrarë, mijëra të plagosur nga shpërthimi i pajisjeve pager në Liban

schedule19:55 - 17 Shtator, 2024

schedule 19:55 - 17 Shtator, 2024

Së paku tetë njerëz janë vrarë dhe 2.750 të tjerë janë plagosur të martën si pasojë e shpërthimit të njëkohshëm të pajisjeve të telekomunikimit me valë – të njohura si pager – në Liban, tha ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad.

Grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollahu tha më herët se dy anëtarë të tij dhe një vajzë ishin në mesin e të vrarëve nga shpërthimet “misterioze”.

Ministri Abiad tha se 200 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndërsa në mesin e të plagosurve është edhe ambasadori i Iranit në Bejrut, Mojtaba Amani, sipas mediave iraniane.

Hezbollahu tha se një numër i pajisjeve pager, të përdorura nga anëtarët e grupit, shpërthyen “njëkohësisht”.

Pajisjet pager që shpërthyen ishin modeli më i fundit i kësaj pajisjeje që Hezbollahu e kishte importuar në Liban rishtazi, raportoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar tri burime të paidentifikuara.

Raportimet nga Libani tregojnë se “qindra” anëtarë të grupit militant Hezbollah, përfshirë luftëtarë dhe punëtorë të ndihmës, u plagosën nga shpërthimi i pajisjeve pager – mjet komunikimi që pranon mesazhe me tekst ose me zë – në jug të Libanit dhe përreth.

Një anëtar i grupit, duke folur në kushte anonimiteti, tha për Reuters se shpërthimi i pashijeve ishte “infiltrimi më i madh i sigurisë” me të cilin Hezbollahu është përballur në konfliktin e tij me Izraelin në vitin e fundit.

Agjencitë e tjera të lajmeve raportuan gjithashtu se një numër i anëtarëve të grupit Hezbollah u plagosën si pasojë e shpërthimit të këtyre pajisjeve.

Në një deklaratë, Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se qindra të plagosur janë dërguar në spitale pas shpërthimeve.

Ministria u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pajisje pager t’i hedhin ato menjëherë.

Shpërthimet ndodhën në një kohë kur kabineti izraelit njoftoi se po i zgjeronte synimet e luftës dhe fokusin e fushatës së tij pothuajse njëvjeçare kundër grupit ekstremist Hamas, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Gaza, për ta luftuar Hezbollahun në kufirin e saj verior me Libanin./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!