Inter ‘blindon’ Asllanin/ Mesfushori kuqezi rinovon kontratën deri në 2028

schedule12:43 - 17 Shtator, 2024

schedule 12:43 - 17 Shtator, 2024

Të dielën luajti ndeshjen e parë si titullar në këtë sezon të Serisë A. Vetëm një ditë më pas Kristjan Asllani merr një tjetër dhuratë nga Inter. Mesfushori shqiptar ka rinovuar kontratën me klubin zikaltër, duke firmosur deri në qershor të vitit 2028.

Një sinjal i rëndësishëm ky për futbollistin 22 vjeçar, pasi do të thotë se Inter e sheh atë si pjesë e projektit për të ardhmen.

“Për mua ka qenë gjithmonë një ëndërr që të luajë për Interin. Është një nder i madh të mbaj veshur këtë fanellë. Kjo kontratë është krenari, por unë e marr si një pikënisje për disa gjëra si përshembull rritja dhe përmirësimi si futbollist. Stërvitem me kampionë dhe jam i lumtur që kam shokë të tillë”

Ky sezon ka nisur mirë për mesfushorin kuqezi, që luajti edhe ndeshjen e parë si titullar.

Me rinovimin e kontratës, duket se në të ardhmen trajneri Inzagi do t’I besojë më shumë futbollistit të kombëtares së Shqipërisë.

“Interi duhet të fitojë çdo ndeshje dhe trofe në fund. E dimë që nuk do jetë e lehtë. Është e vështirë të rikonfirmohesh, por do bëjmë maksimumin”

Asllani u ble nga klubi zikaltër nga Empoli për 15 milion euro, ndërsa në dy sezone me Inter ka luajtur 64 ndeshje, ndërsa ka shënuar edhe një gol në Serie A./abcnews.al