“Duhej të kishim bërë më mirë ndaj Nottingham”, Van Dijk: Do të tregojmë veten kundër Milan

schedule15:36 - 16 Shtator, 2024

schedule 15:36 - 16 Shtator, 2024

Pësuan humbjen e tretë në 101 ndeshje, me të si lider të mbrojtjes, në “Anfield”.

“Të Kuqtë” e Liverpool zhgënjyen jo pak këtë fundjavë, që sapo lamë pas, teksa pasditen e së shtunës u mposht me rezultatin minimal, 0-1, nga skuadra e Nottingham Forest, humbje kjo që nuk është harruar ende nga kapiteni Virgil van Dijk.

Ky i fundit bëri edhe një koment të shkurtër për mediat pas humbjes, ku pranoi haptazi se performanca e skuadrës së tij përballë kundërshtarit nuk ishte e pranueshme, teksa më tej e konsideron humbjen në “Anfield”, si diçka që nuk duhet të ndodhë më.

“Të gjithë po kthehen nga vende të ndryshme dhe po luajnë në mënyra të ndryshme, por prapë mendoj se edhe pse nuk ishim në maksimum, krijuam raste dhe duhej të kishim bërë më mirë.

Është një paraqitje me të cilën padyshim nuk jemi të kënaqur dhe presim shumë më mirë nga vetja. Humbja në shtëpi është padyshim diçka që nuk mund të ndodhë, por ne duhet ta kthejmë atë shumë shpejt”,- u shpreh fillimisht holandezi.

Më tej në fjalën e tij për mediat, Van Dijk foli edhe për përballjen e parë, në edicionin e ri të UEFA Champions League, ku përballë tyre do të jenë “Djajtë” e Milan, teksa mbrëmjen e së martës në “San Siro” do të kërkojnë të hedhin pas krahëve humbjen katastrofike.

“Për mendimin tim ne kemi një grup shumë të mirë që me të vërtetë e kuptojnë se kjo sfidë ishte e papranueshme, zhgënjyese dhe ne të gjithë e dimë se të gjithë mund të bëjnë më mirë, dhe e vetmja mënyrë për ta treguar këtë është të martën kundër Milan. Kjo është ajo në të cilën do të fokusohemi.

Kemi kaluar humbje dhe momente të vështira së bashku dhe mendoj se duhet të qëndrojmë të qetë dhe do të qëndrojmë të qetë. Ne kemi nevojë për të gjithë skuadrën. Të gjithë e dimë se pas pushimit ndërkombëtar do të jetë një ndeshje çdo tri ditë, kështu që ne kemi nevojë për të gjithë në formën më të mirë”,- u shpreh lideri i prapavijës së Liverpool. /i.m /abcnews.al