Investimet e huaja kanë vijuar që të rriten me ritme të shpejta. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në pjesën e parë të vitit ekonomia shqiptare ka përthithur 749 milionë euro investime të huaja direkte duke u rritur me 8 përqind krahasuar me një vit më parë ose 55 milionë euro më tepër.
Eksperti për çështjet e pasurive të paluajtshme, Dritan Ballgjini tha në një intervistë për “Money Report” se një rol ka ruajtur edhe turizmi. Ai i ndau blerësit në tre kategori:
“Do t’i ndaja në tre kategori. E para, ajo e emigratorëve që janë qytetarë që jetojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë që duan të blejnë pronë në Tiranë dhe duan ta kenë qoftë me qira apo për fëmijët e tyre. E dyta, janë emigrantët, që tashmë prej 20 vitesh kanë arritur të kenë një buxhet të caktuar për të blerë një pronë, dhe e treta, janë të huajt që janë nga vendet që na rrethojnë nga Maqedonia, Mali i Zi, ku ka shqiptarë pasi e shohin Tiranën dhe bregdetin si shtëpi patriotike.”, u shpreh eksperti.
Duke u ndalur te rritja e çmimit të banesave ai tha se një faktor që ka ndikuar është edhe procesi i rivlerësimit.
“Kjo rritje është edhe nga procesi i rivlerësimit dhe statistika të padukshme por që luajnë rol të konsiderueshëm në rritjen e blerjes së një prone. Ne po presim këtë gjë, çdo kush që punon në real state, ne që komunikojmë me njëri-tjetrin e kemi të pamundur të bëjmë një shitje në kohë të caktuar“, shtoi ai./abcnews.al