Altin Kuka nuk veproi i vetëm në krimin që i mori jetën vellezërve Gramos dhe Lavdimir Kurtaj në Roskovec.
Zyrtarisht policia thotë se bashkëpuntorë në vrasje, 49 vjeçari, ka pasur dy djemtë e tij Ervis dhe Emaurisio Kuka, 21 dhe 18 vjeç, të arrestuar prej të martës.
Këtyre të fundit, gjatë tentativës për arratisje policia iu gjeti edhe një armë pistoletë.
Në pranga ka rënë edhe një 67 vjeç, Tomor Zyka, banues në fshatin Çukalat i cili dyshohet, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Burime nga grupi hetimit thanë se në vendngjarje janë gjetur vetëm gëzhoja të automatikut që Altin Kuka e dorëzoi kur shkoi vetë në komisariat pas krimit.
Të njejtat burime tregohen të rezervuara në sqarimin e dinamikës dhe rolit në vrasje të dy djemëve të autorit.
Arma e përdorur në krim do t`i nënshtrohet ekspertizës dhe do të zbardhë se kush i vrau vëllëzërit Kurtaj edhe pse vrasjen e ka marrë përsipër 49 vjecari Altin Kuka.
Ai në një tjetër dëshmi mësohet se ka shprehur pendesë për krimin e rëndë duke thënë se nuk donte t`ju merrte jetën bashkëfshatarëve të tij por situata i doli jashtë kontrollit gjatë debatit.
Prej të martës në fshatin Kurjan flitet vetëm për vrasjen.
Banorët vijojnë të jenë të tronditur nga krimi dhe thonë se mes dy familjeve nuk ka pasur konflikte të mëparshme.
Vrasja dyshohet se e ka zanafillën te një sherr i çastit mes fëmijëve të autorit dhe atyre të viktimës, mbrëmjen e të hënës./abcnews.al


