Ndeshja Shqipëri-Gjeorgji/ Policia plan masash, rrugët që do të bllokohen

schedule08:34 - 10 Shtator, 2024

schedule 08:34 - 10 Shtator, 2024

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Gjeorgji, e vlefshme për Nations League, e cila do të luhet mbrëmjen e së martës, në orën 20:45 në “Air Albania”.

Masat e marra nga Policia e Shtetit janë si më poshtë:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Gjeorgjisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e sotme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

* Rruga “Papa Gjon Pali II”;

* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Themistokli Gërmenji”;

* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;

* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Hyrja në stadium e tifozëve dhe e sportdashësve që kanë blerë biletë, fillon në orën 18:00./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!