Ishte paralajmëruar.
Disa ditë më parë, Abc News njoftoi se Mirlind Daku nuk ishte mirë fizikisht, edhe pse po luante e madje po shkëlqente në Premier Ligën e Rusisë.
Tashmë, është zyrtare që Daku është në dyshim për ndeshjet e kombëtares në Ligën e Kombeve.
Mediat ruse shkruajnë se sulmuesi i Shqipërisë ka një dëmtim dhe se trajneri i tij, te Rubin Kazan, Rashid Rahimov, do t’i kërkojë Federatës Shqiptare të Futbollit që të mos e thërrasë atë për dy sfidat e muajit shtator ndaj Ukrainës e Gjeorgjisë.
Siç ka njoftuar më parë Abc News, futbolisti luante me gjilpëra në elitën e futbollit rus dhe nuk stërvitej me shokët, por sipas një programi individual, diçka e zbuluar nga vetë trajneri Rahimov.
Nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e brazilianit Sylvinho, por besohet se sulmuesi do të thirret fillimisht në grumbullim që mjekët e kombëtares të përcaktojnë gjendjen e tij e në rast se Daku nuk do t’i përgjigjej dot ftesës, për “Kuqezinjtë” do të ishte një goditje e rëndë sepse ai është lojtari më në formë i sulmit për momentin.
Ndërkaq, kujtojmë se sfidat e radhë të Kombëtares do të jenë më 7 e 10 shtator, ku fillimisht do të ndeshen në transfertë ndaj Ukrainës e më pas do të presin në “Air Albania”, “Kryqtarët” e Gjeorgjisë. /i.m /abcnews.al