Shtohen kursimet në banka/ Nunaj: Dy faktorët që kanë ndikuar. Rishikimi i buxhetit? Shtimi i të ardhurave për bujqësinë, i domosdoshëm

schedule14:28 - 29 Gusht, 2024

schedule 14:28 - 29 Gusht, 2024

Kursimet e qytetarëve dhe bizneseve janë rritur ndjeshëm si në lekë edhe në euro. Statistikat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se depozitat janë shtuar si në monedhën euro dhe në lekë. Një fenomen i tillë lidhet me rritjen e normave të interesit për depozitat.

Po ashtu edhe kredimi ka vijuar të ketë ritme pozitive krahasuar me një muaj më parë. Ekspertja për ekonominë, në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, shpjegoi dy faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje të depozitave në të dyja monedhat.

“Kur në banka ka kërkesë në rritje për kredi në lekë, automatikisht do të ketë nevoja për depozita në lekë. Në këtë rast, nevoja për kredi, ka çuar në një nevojë të re për depozita në lekë dhe duke qenë se banka ka nevojë për këto para, i drejtohet tregut të brendshëm duke rritur normën e interesit. Arsyeja e dytë lidhet me një treg të kufizuar financiar sa i përket produkteve financiare. Dy janë arsyet bazë: rritja e depozitave vjen si pasojë e kërkesave për kredi dhe kufizimet e tregut financiar për ta diversifikuar”, u shpreh Nunaj.

Duke u ndalur te rishikimi i buxhetit me 27 miliardë lekë, ekspertja për ekonominë tha se shtimi për sektorin e bujqësisë ishte i domosdoshëm. Ajo shtoi se është e nevojshme që rritja e të ardhurave duhet të bëhet edhe në sektorë të tjerë që kanë nevojë.

“Gjykoj themeltar rishikimin për bujqësinë, se e kemi thënë që në fillim viti, që buxheti për vitin 2024, parashikonte më pak investime në bujqësi kur ndërkohë kemi edhe mungesën e fondeve IPARD. Rritja e të ardhurave për këtë sektor është i domosdoshëm”, tha ajo./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!