Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim emisarin gjerman, Manuel Sarrazin.
Ai ka ndarë disa foto në rrjetet sociale, ku ka zbuluar se kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon, veçanërisht ato në Kosovë.
Sipas Krasniqit, për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm.
“Bashkë me Bedriun dhe Vlorën, në selinë e PDK-së, e pritëm Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë.
Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë.
Për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm.
Në këtë drejtim, PDK mbështetë të gjitha nismat e mirëfillta të cilat rrisin dhe fuqizojnë bashkëpunimin konstruktiv rajonal – si hap konkret drejt përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian.
Emisarin Sarrazin e falënderova për kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë për Kosovën!“, ka shkruar ai krahas fotove./abcnews.al