Mbajtja e konferencës së ambasadorëve/ Minxhozi: Zhvillim me shumë rëndësi. Dy fushat më të suksesshme të qeverisë, politika e jashtme dhe turizmi

schedule17:46 - 26 Gusht, 2024

schedule 17:46 - 26 Gusht, 2024

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para ambasadorëve shqiptarë, që u mblodhën këtë të hënë në Pallatin e Kongreseve, për 3 ditë pune, në një takim që mban emrin “Tirana Diplo 2024” tha se brenda 2030, Shqipëria duhet të jetë gati për t’u bërë vend anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “News Line” në ABC News, komentoi rëndësinë e mbajtjes së konferencës me ambasadorët. Ai tha se mbledhja dhe takimi me ambasadorët është një  zhvillim pozitiv, i cili duhet përshëndetur nga të gjithë.

Sipas tij, takimi me ambasadorët është një gjest i duhur që bën Shqipëria, ndërsa integrimi drejt BE-së shtoi ai është një rrugëtim, i cili bazohet kryesisht tek përmbushja me rigorozitet i “detyrave të shtëpisë”.

Sipas Minxhozit, kryeministri Edi Rama në fjalën që mbajti në konferencë me ambasadorët, tregoi se cilët janë disa prej vektorëve kryesorë të Shqipërisë në sferën e politikës së jashtme.

“E shoh si një zhvillim pozitiv rëndësinë, që po i jepet mbajtjes së kësaj konference. Qëndrimi i kryeministrit si ndaj integrimit, ndaj Kosovës, NATO-s, duke njoftuar dhe mbajtjen e Samitit të NATO në 2027, prek ato që janë vektorët kryesorë të politikës tonë të jashtme. Edhe aktiviteti i sotëm me ambasadorët është një gjest në rrugën e duhur, pa harruar detyrat që Shqipëria ka, që janë detyra shtëpie, që duhet t’i bëjmë këtu”, tha ai.

Gjatë bisedës me gazetarin Emilian Islamin, analisti Minxhozi theksoi se dy fushat në të cilat Shqipëria ka korrur më shumë sukses janë politika e jashtme dhe turizmi. Sipas tij, falë përpjekjeve të bëra nga qeveria, imazhi i Shqipërisë është përmirësuar ndjeshëm.

“Dy fushat më të suksesshme të qeverisjes së sotme në Shqipëri, unë do të identifikoja padyshim politikën e jashtme dhe turizmin. Rama ka qenë mjaft i aftë në politikën e jashtme që të krijojë njohje, të hapë dyert, të përmirësojë imazhin, t’i japë Shqipërisë një vend, që konfort ekonomisë dhe popullatës dhe fuqisë ushtarake nuk do ta kishte, por për shkaqe qe lidhen me aftësinë e kryeministrit në politikën e jashtme, sot janë më të favorshme se më parë. Këtu janë mbajtur shumë samite. Imazhi tek ata që e vizojnë Shqipërinë, është më i mirë se më parë”, tha ai./ abcnews.al