“Tirana Diplo 2024″/ Ministri Hasani: Do të kemi një ligj të ri të Shërbimit të Jashtëm, synon t’i japë një energji të re diplomacisë sonë

schedule09:40 - 26 Gusht, 2024

schedule 09:40 - 26 Gusht, 2024

Ministri Igli Hasani ka marrë fjalën hyrëse në konferencën e ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, duke theksuar se do të ringjallim një traditë të dobishme për diplomacinë tonë.

Ai ka thënë se shumë shpejt do të vendoset një ligj i ri i Shërbimit të Jashtëm, i cili synon t’i japë një energji të re diplomacisë shqiptare.

“Diplomacia jonë tashmë është veprimtaria e njerëzve me prejardhje të ndryshme, aftësitë e të cilëve janë formësuar jashtë përkatësisë së një trupi të vetëm. Ndaj edhe nisur nga përvoja dhe aftësitë e secilit prej jush, nga disa profesione, presim që t’i inkorporoni më mirë ato në shërbimin tonë të jashtëm, e kështu të na mundësoni të kemi një diplomaci më të shkathët, më të aftë dhe më të fortë. Po ashtu, është e rëndësishme që të kombinojmë aftësitë specifike të profesionit të diplomatit me njohuri të specializuara në fusha të tjera, teknologji dhe media sociale, dhe ku Ministria e Jashtme do të duhet të sigurojë një koordinim ndërministror duke zbatuar sinergji dhe njohuri efektive, por duke marrë qartësisht drejtimin.

Së afërmi Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ketë një strukturë të re, e cila, para së gjithash, rreh të përmirësojë punën dhe, gjithashtu, të zhdërvjelltësojë e intensifikojë marrëdhëniet mes dy gjymtyrëve kryesorë: Ministri dhe Përfaqësi, të cilat, në gjykimin tim, duhet të ushqejnë njëra-tjetrën me një energji të pandërprerë. Fragmentarizmi dhe refraktarizmi duhet t’i përkasin të shkuarës, ashtu si dhe mendësia e ndarjes në gjirin e këtij shërbimi në të privilegjuar dhe punëtorë me mëditje.

Edhe pse nuk bëhet fjalë për një strukturë e re në ngrehinën e diplomacisë shqiptare, Akademia Diplomatike detyrimisht duhet të ketë një fytyrë dhe një përmbajtje të re dhe të shërbejë si një urë komunikimi e bashkëpunimi mes aktorëve të politikës së jashtme dhe shoqërisë civile e botës akademike.

Ndërkohë shumë shpejt do të kemi edhe një ligj të ri të shërbimit me Jashtë. Ky ligj nuk është hartuar thjeshtë për të hartuar diçka, por t’i shërbejë frymës së re dhe dinamikës që rrahim t’i japim punës e veprimtarisë diplomatike në çdo dimension, brenda e jashtë vendit, në marrëdhëniet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe, me organizatat ndërkombëtare. Mbi të gjitha, ligji nuk do të jetë streha e të paaftëve e mediokërve, po do të mbështesë e stimulojë gjithkënd që e do këtë profesion dhe i është përkushtuar me mish e me shpirt. Ndër shumë të tjera, ligji do të hapë dyert e shërbimit të jashtëm për gjithë shqiptaret e shqiptarët që punojnë në organizata ndërkombëtare duke u njohur meritat, punën dhe kontributin”, u shpreh Hasani./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!