Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin e policisë Erion Goxhara, që mesditën e 19 gushtit plagosi me armë zjarri Lorenc Kostën në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Në seancën e së premtes që u zhvillua me dyer te mbyllura Goxharaj ka shfaqur pendesë për atë që ka ndodhur dhe ka kërkuar masë më të lehtë sigurie, me pretendimin se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, por kërkesa iu rrëzua nga gjykata. Mësohet se gjatë seancës Goxhara ka sqaruar se para se të qëllonte me armën e shërbimit në drejtim të Kostës ka pasur edhe një konflikt verbal me të, por nuk ka pasur për qëllim që ta vriste. Ndërsa avokatët mbrojtës i thanë gjykatës se klienti i tyre e ka kryer plagosjen në kushtet e rënduara psiqike dhe I kërkuan gjykatës kryerjen e një akt ekspertimi për gjendjen e tij mendore.
Nga ana tjetër prokuroria ka ngritur dy akuza atë të vrasjes me paramendim të mbetur në tentative dhe armë mbajtje pa leje. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 19 gushtit, pas një konflikti për motive xhelozie që punonjësi i policisë së kufirit, kishte Lorenc Kostën.
Goxhara qëndroi për dy ditë në arrati, por pas negociatave të policisë më familjarët u dorëzua pasditen e 21 gushtit në policinë e Tiranës.
/abcnews.al/