Virgil Van Dijk është një nga kandidatët kryesorë për fitimin e “Topit të Artë”. Mbrojtësi i Liverpool ka dhënë një prononcim interesant për Goal. Holandezi u shpall lojtari më i mirë i sezonit të kaluar nga UEFA. Elozhet për të janë të shumta prej kohësh, por dikush e mban me këmbë në tokë.
Ai është Jurgen Klopp, i cili vepron menjëherë sa “teprohet” me komplimente. Van Dijk flet edhe për fitimin e titullit kampion, objektivi i madh i “The Reds”. Ky trofe mungon prej vitit 1990 dhe skuadra është në rrugën e duhur për të bërë krenarë tifozët e zjarrtë të Liverpool.
“Me Klopp kam një lidhje të ngjashme me atë që kisha me Koeman te Southampton. Trajneri është kritik dhe di të marrë më të mirën nga unë, njësoj siç bënte holandezi. Sa herë që mediat më ngrenë në qiell me elozhe, Klopp i minimizon komplimentet që marr.
Kur UEFA më shpalli lojtarin më të mirë të sezonit dhe po bëhesha gati të shkoja në ceremoni, Jurgen i tha djemve të tjerë që ky trofe ishte në emër të gjithë skuadrës. Arritjet më entuziazmojnë, ndërsa Klopp më jep shumë respekt, por edhe shumë përgjegjësi.
Titulli? Arrij ta ndjej fitimin e titullit kampion. Tifozët e ndjejnë shumë mungesën e gjatë të këtij trofeu. Ata na shtyjnë gjithmonë për t’ia dalë dhe duan titullin kampion përpara gjithçkaje tjetër. Trajneri na e përsërit gjithmonë, duhet të mos e humbim përqendrimin dhe t’i marrim ndeshjet me radhë. Jemi ende në nëntor dhe rruga drejt titullit është e gjatë“. /abcnews.al