E dinte veten se ishte i zoti, por këtë herë pati pak shpresë.
Vedat Muriqi ishte përballë yjeve më të mëdhenj të botës, atyre të Realit, por gjithsesi shkëlqeu më shumë se ata.
Në krahun tjetër, me fanellën e famshme madrilene ishin Mbape, Belingham, Vinisius apo Rodrigo, veçse kjo nuk e trembi aspak sulmuesin e Kosovës, që shënoi gol në barazimin e madh të Majorkës.
Përfundoi 1-1 ndeshja e javës së parë të La Ligës, dhe të gjithë e kuptuan se nuk mjafton të kesh emra të mëdhenj për të fituar.
Rodrigo kaloi Realin përpara që në minutën e 13-të, por pas pushimit Muriqi barazoi në minutën e 53-të.
“Nuk mund ta imagjinoni. Gjatë ndeshjes i thashë Militaos se të gjithë yjet e Realit janë shumë të shpejtë. Janë impresionues. Lojtarë të mëdhenj. Krenar që u shënova gol. Iu uroj fat, por po ashtu edhe skuadrës sime”.
“Dështim i madh”, shkruan e përditshmja e kryeqytetit, “Marka” me foton e Mbapesë në kopertinë: Madridi nuk arrin më shumë se barazimi në debutimin e tij!
I njëjti titull edhe i gazetës tjetër të Madridit, “AS”, që thekson se goli i madh me kokë i Muriqit nuk i lejoi fitoren Realit!
Trajneri i kampionëve të Europës, Karlo Ançeloti, pati kritika për yjet e tij.
“Vitin e kaluar edhe mund ta pranonim një barazim, por këtë herë jo. Mendoj se mund të kishim luajtur shumë më mirë. Nuk dua të justifikohem aspak. Duhet të kemi mentalitet më të mirë ndaj ndeshjeve. Na duhet më shumë ekuilibër në mbrojtje, sepse jemi ekip shumë ofensiv. Në këtë ndeshje u kuptua qartë se ku e kishim problemin”.
Reali mbetet favorit për titullin në La Liga, për skuadrën që ka dhe duke qenë kampion në fuqi, si dhe kampion i Europës, por gjithsesi Barcelona do ta sfidojë deri në fund, e ndoshta goli i Muriqit në fund do t’i prishë punë.
/abcews.al