Ndihmoi polumbarin të vendoste eksploziv në anije, Apeli lë në burg Eridion Muho

schedule15:27 - 13 Gusht, 2024

schedule 15:27 - 13 Gusht, 2024

Gjykata e Apelit ka lënë në burg Eridon Muhon, i cili dyshohet se ndihmoi polumbarin Armando Nelaj të vendoste eksploziv në anije disa javë më parë në portin e Sarandës.

Muho kishte planifikuar me Nelajn që të vendosnin eksplozivin te një anije, për motive konkurrence. Mirëpo, eksplozivi i ka plasur aksidentalisht 52-vjeçarit Nelaj, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, si pasojë dhe ka ndërruar jetë.

Njoftimi i plotë: 

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim me iniciale E. M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 152/3, 25 dhe 22 i Kodit Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin nr. 23-2024-1488, datë 30.07.2024, ka vendosur:

– Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim E. M.

– Caktimin si masë sigurimi ndaj personit nën hetim E. M  atë të “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit  të bërë, nga personi nën hetim me iniciale E. M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës dhe revokimin e kërkesës së organit të akuzës.

Në përfundim të gjykimit, më datë 13.08.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Qemal Zaimi, vendosi:

-Miratimin e vendimit penal Nr.23-2024-1488 datë 30.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë./abcnews.al