Ndërhyrja e Iranit në presidencialet/ Microsoft zbulon metodat kibernetike për të manipuluar votuesit amerikanë

schedule18:43 - 10 Gusht, 2024

schedule 18:43 - 10 Gusht, 2024

Irani ka intensifikuar aktivitetin në internet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ky konstatim vjen pas raportit të fundit të Microsoft ku thuhet se Hakerët iranianë kanë synuar sistemet e postës elektronike të zyrtarëve të fushatave dhe kanë krijuar faqe interneti me lajme të rreme për të ndikuar tek votuesit amerikanë.

Raporti tregon se një grup i lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit ka kryer sulme kibernetike ndaj e-mailëve të zyrtarëve të fushatave presidenciale dhe ka fshehur origjinën e këtyre sulmeve duke përdorur një llogari false.

Një tjetër grup ka krijuar faqe lajmesh të rreme për të manipuluar votuesit në anët e kundërta të spektrit politik. Raporti thekson se Irani po përpiqet të krijojë kaos dhe ndasi, dhe se aktivitetet e tij kibernetike pritet të rriten me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit.

Microsoft gjithashtu zbulon se Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë polarizimin politik në SHBA për të përhapur mesazhe përçarëse në këtë vit zgjedhor.

Grupi i lidhur me Rusinë dhe grupet që lidhen me Partinë Komuniste të Kinës po përpiqen të shfrytëzojnë polarizimin politik për të ushtruar ndikim në këtë vit zgjedhor.

Microsoft ka vazhduar të monitorojë përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale nga vendet armike. Teknologjia e re që mund të krijojë imazhe dhe video ka rritur shqetësimet se mund të përdoret për të mashtruar votuesit amerikanë në këtë cikël zgjedhor.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!