Sulmet izraelite në Bregun Perëndimor shkaktuan vdekjen e tetë palestinezëve, përfshirë katër adoleshentë, dhe plagosën shtatë të tjerë, thanë zyrtarët palestinezë të martën, ndërsa udhëheqësit botërorë po përpiqen që të parandalojnë shndërrimin e tensioneve në Lindjen e Mesme në një luftë rajonale.
Një sulm ajror izraelit në një fshat në Libanin jugor vrau katër persona, tha Ministria e Shëndetësisë e vendit. Më pas të martën, Hezbollahu i Libanit ndërmori një sulm me dron në Izraelin verior, duke plagosur pesë persona, në përgjigje të vrasjes së një prej luftëtarëve të tij.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë gjatë 10 muajve të fundit të luftës në Gazë.
Udhëheqësit e Egjiptit dhe Turqisë thanë se po i shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për të parandaluar një konflikt më të gjerë rajonal pas vrasjeve të një komandanti të lartë të Hezbollahut në Liban dhe udhëheqësit kryesor politik të Hamasit në Iran.
/VOA