Barcelona planifikon të ndalojë dhënien me qira të apartamenteve për turistët me qëllim që të zbusë krizën për shtëpi në qytet, e cila sa vjen dhe përkeqësohet.
Autoritetet lokale synojnë që 10 mijë apartamentet që jepen me qira afatshkurtra në pikën kryesore turistike të Spanjës, të jenë në dispozicion të banorëve vendas, që ankohen për çmimet e larta.
Kjo është Barcelona në një ditë të nxehtë vere. Ajo është pika kryesore turistike e Spanjës. Me miliona turistë dynden çdo vit për t’u njohur me arkitekturën, ushqimin, detin dhe historinë e qytetit.
Në Barcelonë jetojnë 1.6 milionë banorë, por vitin e kaluar, qytetin e vizituan 26 milionë turistë, shumë prej të cilëve qëndruan në apartamente me qira.
Edhe pse turizmi zë 15 për qind të ekonomisë së tij, banorë të qytetit të Barcelonës dolën në rrugë për të protestuar kundër numrit të lartë të vizitorëve, që ka çuar në një rritje tejet të lartë të qirave për vendasit.
Gjatë një proteste kundër turistëve në rajonin Las Ramblas në Barcelonë këtë muaj, disa protestues lëshuan thirrje si “shkoni në shtëpi” dhe lagën me pistoleta me ujë turistët që ishin ulur në tavolina në ambiente të hapura.