Ish-lojtari i kombëtares, Edvin Murati, e cilëson shumë të veçantë ndeshjen Shqipëri-Francë. Pas një jete të kaluar në shtetin francez, ai do të ketë një derbi në familje.
Dikur ishte njëri prej tyre. Edvin Murati do të mbahet mend si autori i golave të bukur me kombëtaren, ndërsa prej vitesh jeton në Francë, ku ka krijuar familjen. Ai ka ardhur në Shqipëri për të ndjekur pikërisht ndeshjen e kombëtares me kampionët e botës dhe është i qartë përsa i përket ndjenjave, ndonëse nuk e ka edhe aq të lehtë.
“Ndeshja ndaj Francës është gjithmonë e veçantë. Shqipëria është vendi im, Franca nga ana tjetër më ka hapur krahët . Është normale që jam me Shqipërinë, kam luajtur me kombëtaren, prindërit i kam shqiptarë dhe gjithçka më lidh me këtë vend. Fëmijët janë francezë dhe është e veçantë si ndeshje, por prioritet ka gjithmonë Shqipëria”
Nëse Murati është me Shqipërinë, në familje ka konkurrencë. “Derbi është, pasi djali është me Shqipërinë, kurse gocat me Francën (qesh)”, shtoi ish-mesfushori. Çfarë mund të bëjë kombëtarja ndaj Francës, sipas Edvinit? “Për të prishur punë, të prishim punë ne (qesh). Mendoj se ndeshja me Francën do të jetë e bukur, pasi stadiumi është i ri dhe do të jetë plot me tifozë. Besoj se do të bëjmë ndeshje të bukur.
Pas vitit 2016 ka qenë e vështirë të arrihet ai nivel, çfarë mendon Murati për potencialin e kombëtares? “Nga euforia e Europianit, nga gjithë ajo arritje, zbret poshtë. Të gjithë duhet ta kuptojnë. Duhet ta kuptojmë që jemi vend i vogël, tani po e marrim veten. Duhet të jemi të gjithë bashkë, të luftojmë për njëri-tjetrin. Nuk kemi Ronaldo e Messi, nëse luajmë të gjithë bashkë duket shpejt në rezultate”, përfundoi Murati prononcimin e tij për ABC News. /abcnews.al