BBC ka shqyrtuar ndikimin e mediave sociale në shëndetin mendor dhe mirëqenien njerëzore, duke kërkuar mendimin e ekspertëve mbi gjetjen e nje zgjidhjeje për përvoja të shëndetshme në këto platforma.
Sipas të dhënave të mbledhura dhe të publikuara nga BBC, tre miliardë njerëz, që përbëjnë rreth 40% të popullsisë botërore, përdorin mediat sociale dhe internetin – duke shpenzuar mesatarisht dy orë çdo ditë për ndarjen, simpatinë, tuitimin dhe përditësimin në këto platforma online. Kjo shifër tejkalon gjysmë milion tuitimet dhe fotot në Snapchat që shpërndahen çdo minutë. Ekspertët tashmë ngrejnë pyetjen se në një moment kur mediat sociale luajnë një rol madhor në jetën tonë, a mund të sakrifikojmë shëndetin, kohën dhe mirëqenien tonë mendore duke naviguar në internet.
Meqenëse mediat sociale janë relativisht të reja, shkencëtarët mendojnë se hulumtimet e publikuara mbështeten në vetë-raportim, i cili shpesh mund të jetë me të meta dhe shumica e studimeve fokusohen vetëm në rrjetin social të Facebook. Po sipas ekspertëve, ky është një fenomen gjithnjë e më shumë në rritje dhe shumë shpejt do të ketë më shumë të dhëna të cilat do të jenëmë të sakta. BBC, shqyrtoi zbulimet se disa prej këtyre faktorëve si stresi, humori, ankthi, depresioni, gjumi, fiksimi, vetëvlerësimi, mirëqënia, lidhjet dhe vetmia, ndikojnë drejtëpërdrejt tek individi.
Është e qartë se në shumë fusha, nuk mjaftojnë infomacionet për të nxjerrë përfundime të sakta. Megjithatë, provat tregojnë se mediat sociale prekin njerëzit në mënyra të ndryshme, varësisht nga kushtet e jetesës dhe tiparet e personalitetit. Ashtu si me ushqimin, bixhozin dhe shumë tundime të tjera të epokës moderne, përdorimi i tepruar i mediave sociale, pra internetit, sipas ekspertëve – për disa individë ndoshta nuk është i këshillueshëm. Por në të njëjtën kohë, do të ishte gabim të thuhet se media sociale është një gjë e keqe, sepse në mënyrë të qartë sjell përfitime të panumërta për jetën tonë. Ekspertët shpjegojnë se duhet të përdorim platformën online për të na ndihmuar të jetojmë një jetë më të lumtur dhe më të shëndetshme dixhitale./abcnews.al

