Sulmohet një bazë ajrore ruse në Krime

schedule14:07 - 26 Korrik, 2024

schedule 14:07 - 26 Korrik, 2024

Një bazë ajrore e ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar raportohet se është sulmuar me raketa që kanë shkaktuar shpërthime dhe zjarr, raportuan mediat ukrainase dhe kanalet ruse në Telegram më 26 korrik.

Televizioni ukrainas, Suspilne, duke cituar banorët lokalë, raportoi për shpërthime në qytetin Saki dhe Jevpatoria të Kriemsë. “Shpërthime shumë të fuqishme” janë raportuar nga banorët në Saki, që është shtëpi e një baze ajrore ruse.

Një kanal në Telegram nga Krimeja raportoi se një depo municionesh në një bazë ajrore është sulmuar me raketa, duke shtuar se si pasojë e sulmeve është shkatërruar një avion.

Kanali rus në Telegram, Astra, duke cituar burime të emergjencave në Krimenë e pushtuar, tha se një bazë ajrore dhe një depo municionesh janë sulmuar me raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Ky kanal tha se si pasojë e sulmeve janë përhapur zjarre. Dy ushtarë rusë, sipas Astras, janë plagosur.

Astra po ashtu tha se raketat ATACMS goditën një sistem rus të mbrojtjes ajrore në Saki, duke shkatërruar një stacion radari. Duke cituar burime të paidentifikuara, ky kanal në Telegram tha se katër raketa ATACMS u gjuajtën nga Ukraina, dy prej të cilave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse.

Ky informacion nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka përmendur sulmet në Krime, por vetëm ka thënë se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar gjashtë dronë ukrainas, katër mbi rajonin e Rostovit dhe dy mbi atë të Kurskut.

Baza ajrore ushtarake Saki, afër fshatit Novofedorivka, edhe në të kaluarën është shënjestruar disa herë nga sulmet me raketa.

Kjo bazë është shtëpi e regjimentit të 43-të të aviacionit luftarak të Rusisë, që mbështet trupat ruse në jug të Ukrainës dhe operon me bombarduesit Su-24 dhe avionët luftarakë Su-30.

Krimeja, që është pushtuar nga Rusia më 2014, përdoret nga ushtria ruse për të kryer sulme me raketa për në Ukrainë, teksa Moska po vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që nisur në shkurt të vitit 2022.

Në prill, Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, që mund të fluturojnë deri në 300 kilometra dhe mund të përdoren për të goditur cilindo nga më shumë se 100 caqet ushtarake ruse në Krime. /REL