“Idiotë dhe vegla të Iranit”, Netanyahu sulmon protestuesit gjatë fjalimit në Kongresin amerikan

schedule08:30 - 25 Korrik, 2024

schedule 08:30 - 25 Korrik, 2024

Një numër i madh njerëzish u mblodhën për të protestuar kundër kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, i cili foli dje para Kongresit amerikan.

Ai sulmoi demonstruesit, duke i quajtur ata “idiotë dhe vegla të Iranit”. Duke folur në Kongres Netanyahu tha se Amerika dhe Izraeli “duhet të qëndrojnë së bashku” dhe se “armiqtë tanë janë armiqtë tuaj”.

Ai kujtoi sulmet e Hamasit të 7 tetorit, kur 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Disa ligjvënës të Partisë Demokratike e kanë bërë të qartë kundërshtimin e tyre ndaj fjalimit të Netanyahu dhe nuk morën pjesë në seancë.

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e ka kritikuar fjalimin e Netanyahut, duke e quajtur atë “prezantimin më të keq të çdo zyrtari të huaj të ftuar dhe të nderuar me privilegjin për t’iu drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara”.

Kongresmenia e Kalifornisë ka një ndikim të madh mbi Partinë Demokratike dhe e kishte bojkotuar fjalimin më herët.

“Shumë prej nesh që e duan Izraelin kaluan kohë duke dëgjuar qytetarët izraelitë, familjet e të cilëve kanë vuajtur pas sulmit terrorist të Hamasit të 7 tetorit dhe rrëmbimeve.

Këto familje po kërkojnë një marrëveshje armëpushimi që do t’i sjellë pengjet në shtëpi dhe ne shpresojmë që kryeministri të kalojë kohën e tij për të arritur këtë qëllim”, shkruan ajo ne rrjetet sociale.

Edhe familjarët e pengjeve të Hamasit janë shprehur të zhgënjyer nga Netanyahu. Fjalimi i kryeministrit vjen nëntë muaj pas fushatës së Izraelit në Gaza.

Më shumë se 39,000 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Hamasit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!