Apeli i Çun Lajçit: Të pushojmë në Shqipëri!/ Aktori kosovar prej 30 vjetësh ka zgjedhur Shëngjinin

schedule15:24 - 24 Korrik, 2024

schedule 15:24 - 24 Korrik, 2024

E vizitoi për herë të parë në vitin 1996 kur u bë pjesë e kastit të aktorëve në filmin “Kolonel Bunker”. Prej asaj kohe, aktori Çun Lajçi nuk i ndahet asnjë vit bregdetit të Shëngjinit.

“Dashnia ime ndaj Shëngjinit lindi aty. Mbeti gjurma ime në një rol shumë të mirë dhe pse e dua kaq shumë këtë filmin dhe Kujtim Cashkun sepse më nxori nga balta kur policia serbe më nxorën nga puna mua, shoqen time, Sabri Fejzullahun. Dhe këtu gjeta shpëtimin tim. Sa herë vij këtu më ngjall kujtimin e një arti të bukur që kishte Shqipëria”.

Në Shëngjin është kthyer në një personazh të dashur, të gjithë ndalojnë për të biseduar, apo shkrepur një foto me aktorin e mirënjohur. Vetë Lajçi e konsideron bregun e Shëngjinit si të shenjtë, që bën bashkë shqiptarët e tij.

“Në shkrimet e mia e kam quajtur Shën Kosovarja. Këtu gjej njerëzit që më njohin, dhe bëjnë kontributin duke blerë librat e mi me firmën e tim”.

Teksa ndalet tek karakteri i shqiptarëve, dashuria për atdheun nuk duhet të mungojë asnjëherë, thotë aktori. Sipas tij, pavarësisht të gjithave për vendin nuk duhet folur negativisht asnjëherë.

“Ne jemi shqiptarë dhe ndonjëherë të keqen e kemi brenda vetes dhe kurrë nuk pajtohemi me një të mirë, unë e di që do të duhej të ishte akoma më mirë, por e di që edhe ne do të duhet të ishim shumë të mirë që Shëngjini të ishte më i pastër, shumë më i zhvilluar. Këto shkojnë paralele. Nuk ka thënë Fishta dhe At Zef Pllumbi kot se dreqin e kemi brenda dhe e keqja vjen nga vetvetja. Nuk duhet të gjuajmë gjithmonë baltë ndaj njerëzve që na udhëheqin, sado që jam një nga kritikët më të ashpër. Shikoj që nxjerrin foto të plazheve të zbrazëta dhe çfarë bëjmë ne i çojmë shqiptarët drejt Turqisë dhe Greqisë”.

Aktori Çun Lajçi qëndron gjatë në bregdetin e Shëngjinit, por asnjëherë nuk lëshon nga dora çiftelinë dhe pranë ka librat e shkruar e tij.

“Unë do vazhdoj deri sa të kem frymë në Shëngjin, shes librat, shkoj në Prishtinë dhe shkruaj dhe pres verën tjetër që të zbarkoj prapë në Shëngjin”.

/abcnews.al