Ambasadori britanik, Alastair King-Smith në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se tregtia dhe investimet janë rritur gjatë tre viteve të fundit.
“Jemi angazhuar të bëjmë gjithçka mundemi si Mbretëri e Bashkuar është të ndihmojmë Shqipërinë dhe Kosovën me realizimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është e rëndësishme për shqiptarët dhe kosovarët, por edhe për të gjithë rajonin, duke qenë se do të transformojë lidhjet rajonale”, shtoi më tej ambasadori britanik.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Gjatë këtyre tre viteve që ishit përfaqësuesi më i lartë i Madhërisë së tij në Tiranë, patëm disa zhvillime shumë të rëndësishme në raportet mes dy vendeve. Ajo që unë nuk shikoj në Shqipëri, është që nuk shoh investime të rëndësishme në Shqipëri. Pse në Shqipëri nuk ka një investim të Land Rover, të Mercedes. Pra, pse Shqipëria nuk ka investime të mëdha, të dukshme, meqë ju këtu të Britanisë së Madhe?
Ambasadori britanik, Alastair King-Smith: Sokol, besoj se kjo është pjesë shumë e rëndësishme dhe e përcaktuar mirë, e partneritetit tonë për të ardhmen. Kur erdha në Shqipëri, isha i qartë që zhvillimi ekonomik dhe biznesi duhet të ishin pjesë thelbësore të programit tonë. Dhe jam shumë i lumtur që brenda tre viteve e kemi arritur këtë. Folëm për investimet në veri, por një pjesë e këtij suksesi është e hapja e Dhomës Britanike të Tregtisë që po mbledh së bashku bizneset më të mëdha të pranishme këtu, ato që kanë lidhje me Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që po ndërmerr një qasje tjetër për të ndihmuar bizneset dhe jo vetëm për të përftuar tregti dhe investime. Jam realisht krenar që çdo vit tregtia dhe investimet tona janë rritur shumë, gjatë tre viteve të fundit. E nisëm nga një nivel i ulët, siç the me të drejtë, por tani jemi në drejtimin e duhur. Megjithatë, do të kemi mundësi të bëjmë më shumë. Normalisht ka biznese që kanë kohë në Shqipëri si Vodafone apo Shell. Jam i lumtur të shoh marka të reja britanike si Hamley’s, Lush dhe Ted Baker që janë hapur në vend, dhe besoj se të tjera do të ndjekin këtë shembull. Gjithashtu, kur ish ministri jonë i Jashtëm erdhi këtu para dy muajsh, shpallëm se do të përdorim 4 miliard paund nga fondet e Financimit të Eksportit të MB-së në mbështetje të zhvillimit hekurudhor dhe infrastrukturës së ardhshme, për energji të rinovueshme në të ardhmen dhe fusha të tjera ku mund të sjellim ndryshim. Disa prej këtyre investimeve do të jenë me shumë rëndësi jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për rajonin. Një pikë, ku jemi angazhuar të bëjmë gjithçka mundemi si Mbretëri e Bashkuar është të ndihmojmë Shqipërinë dhe Kosovën me realizimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është e rëndësishme për shqiptarët dhe kosovarët, por edhe për të gjithë rajonin, duke qenë se do të transformojë lidhjet rajonale. Dhe besoj se këto veprime do të vijojnë në këndvështrimin ekonomik, të mbrojtjes, dhe në fusha të tjera.
Pyetje: Pra, do kemi stacionin Paddington në Tiranë dhe Liverpul street në Prishtinë?
Ambasadori britanik, Alastair King-Smith: Sugjerim shumë interesant. Prandaj thashë që shqiptarët janë krijues, sepse nuk e kisha parë në këtë këndvështrim, po pse jo.
/abcnews.al/