Sulmuesi i Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, foli për ABC News, në një lidhje direkte nga Elbasani me studion e emisionit “Pressing”. Në fjalën e tij, sulmuesi kuqezi u shpreh:
“Dua të them që çdo ndeshje është e vështirë, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Nuk jemi as Franca e as Spanja, që e dominon çdo ndeshje. Sigurisht që siç ndodhi dhe sot që kishim një ekip që na vuri në vështirësi, e kishim të vështirë të arrinim te rezultati që donim.
Futbolli është i tillë dhe duhet pranuar rezultati. Nuk mund të them që e nënvlerësuan Andorrën, pasi nuk e kemi këtë shans. Edhe pse Andorra mund të jetë më e dobët se ne, fusha e lojës ka treguar se shumë ekipe mund të humbin nga ekipe jo të nivelit të lartë. Mendoj se nuk është rezultati që duhej apo që dëshironim, por duhet ta pranojmë.
Sot nuk luajta se isha i rikthyer nga dëmtimi. Trajneri donte që të isha pranë ekipit dhe unë e kisha kënaqësi. Nuk munda të jap ndihmën time në fushë, por në të ardhmen do jem aty”./abcnews.al

