Është shtyrë sërish seanca në gjykatën e Elbasanit ku Dritan Dajti kërkoi lirinë. Seanca e radhës do të zhvillohet në datë 23 korrik.
Shtyrja erdhi pas kërkesës së Dritan Dajtit për të depozituar provat e tij para gjykatës dhe për të marrë në shqyrtim provat e depozituara tashmë nga prokuroria.
Gjatë seancës u mundësua edhe një video-konferencë nga ku Dajti u shpreh se po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë.
Drejtoria e Burgjeve refuzoi këtë të hënë për të dytën ditë me radhë shoqërimin e tij, pasi ka dyshime dhe informacione se Dritan Dajti, mund të arratiset.
Për këtë shkak edhe seanca sot në gjykatën e Elbasanit u zhvillua me video konferencë nga ambientet e burgut të Peqinit.
Pak ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi rikthimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili më herët kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 efektivëve të policisë.
/abcnews.al/