Kryeministri i ri britanik Keir Starmer dhe presidenti amerikan Joe Biden diskutuan për marrëveshjen për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe hyrjen e ndihmave humanitare në enklavë.
Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu situatën në Ukrainë gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën. Për më tepër, në fjalimin e tij të kësaj të enjetje, Starmer do t’u kërkojë liderëve të vendeve anëtare të NATO-s që t’i dërgojnë presidentit rus Vladimir Putin një mesazh të qartë të unitetit të mbështetjes së tyre për Ukrainën.
Në samitin e tij të parë ndërkombëtar që kur laburistët fituan zgjedhjet e përgjithshme britanike, Starmer u prit ngrohtësisht nga udhëheqësit e NATO-s. Menjëherë pasi u bë kryeministër, Starmer tha se do të respektonte zotimin e qeverisë konservatore që po largohet për të ofruar 3 miliardë paund në vit ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në 2030-31 dhe më tej nëse nevojitej.
Kujtojmë se Sekretari i ri i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, vizitoi Gjermaninë, Poloninë dhe Suedinë gjatë fundjavës për të nënvizuar mbështetjen e tyre të përbashkët për Ukrainën. Nga ana e tij, sekretari britanik i mbrojtjes John Healy shkoi në Kiev për t’i shprehur presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky mbështetjen “të palëkundur” të qeverisë laburiste për vendin e tij.
Healy shtoi se qeveria e re britanike do të rritë ndihmën ushtarake të premtuar nga qeveria e mëparshme konservatore në prill dhe premtoi dërgesa të reja municioni, raketash, anijesh dhe artilerie. Starmer tregoi të martën se ai dëshiron të rrisë shpenzimet e mbrojtjes së Britanisë në 2.5% të PBB-së së vendit, por nuk dha një orar specifik.
/abcnews.al