Spanjë favorite dhe “e plagosur”, “Furitë e Kuqe” me 3 mungesa në gjysmëfinalen ndaj Francës

schedule13:56 - 9 Korrik, 2024

schedule 13:56 - 9 Korrik, 2024

Kanë tre tituj, dhe e duan rekordin të vetëm.

Spanja, ashtu si Gjermania, është skuadra më e suksesshme në Kampionatet Evropiane, dhe futbollistët e saj e patën mirë parasysh këtë traditë ndërsa mbërritën në Mynih për gjysmëfinalen ndaj Francës.

“Furitë e Kuqe” cilësohen lehtësisht favoritë për të arritur finalen, ndonëse në “Allianz Arena” do të kenë të paktën tri mungesa të rëndësishme, teksa mesfushori “kyç”, Pedri është i dëmtuar, ndërsa mbrojtësit Le Normand e Carvajal, të pezulluar për shkak kartonash, megjithatë, trajneri Luis de La Fuente besohet se I ka gati zëvendësuesit, pra Dani Olmo për Pedri, “lepurin” Jesus Navas për Caravajal dhe Nacho Fernandez për Le Normand.

“Iberikët” padyshim që janë skuadra me futbollin më të bukur ndër katër gjysmëfinalistët, dhe vetëm një herë kanë qenë në vështirësi, në çerekfinalen kundër Gjermanisë, në të cilën patën edhe fat, mirëpo ndyrshe nga “Pancerat”, Franca cilësohet si një ekip i shëmtuar dhe i mërzitshëm, ndonëse De la Fuente nuk është dakord.

“Unë bëj analizën time për Francën, si trajner i Spanjës. Për mua është një skuadër me potencial të jashtëzakonshëm, me lojtarë të një niveli shumë të lartë. Një ekip mjaft i bashkuar. Kur flitet për mërzi apo kënaqësi në futboll, unë jam nga ata që futbolli vetëm e kënaq. Një ekip si Franca nuk më mërzit kurrë. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë dhe duam finalen. Sa për Moratën mendoj se është i padrejtë trajtimi që po I bëjnë një lojtari të tillë, një simboli kombëtar”,- u shpreh tekniku spanjoll.

Spanja ka dalë kampione e Evropës në 1964, 2008 e 2012, ndërsa tifozët duan të ndjejnë sërish emocione të tilla kur kanë kaluar plot 12 vjet, si dhe të përjetojnë emocionet, e të qënurit Kombëtarja më e titulluar sa i përket Kampionatëve Evropianë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!