Ekspertja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Enika Abazi dhe ish-oficeri Dritan Goxhaj, kanë diskutuar në emisionin “360 Gradë” për zgjedhjet në Francë, përmbysjen e papritur të rezultateve dhe humbjen shokuese të Marine Le Pen.
Abazi ka theksuar se humbja mund të jetë diçka pozitive për Le Pen, pasi do të ketë kohë të përgatitet për 3 vjet dhe për të marrë pjesë përsëri në zgjedhje.
Ndërsa, Goxhaj i ka replikuar duke thënë se Le Pen nuk është humbëse, sepse fitoi më shumë vende seç kishte. Sipas ish-oficerit, ajo mund të kandidiojë edhe pas një viti, pasi fituesit e sivjetshëm mund të mos e mbajnë dot qeverisjen. Sakaq, Goxhaj ka shtuar se koalicioni fitues është i rrezikshëm për Kosovën dhe për vendin tonë, madje ndër koalicionet më të frikshme për Francën në aspektin e qeverisjes.
“Nuk besoj se do të ketë kontraste të forta në Francë pas kësaj humbje. Le Pen mund ta ketë menduar që kjo është pozitive për të, sepse do të ketë kohë të përgatitet për 3 vjet për të marrë pjesë përsëri dhe nuk do të konsumohet duke marrë pushtetin këto tre vjet. Dihet ata që e kanë marrë pushtetin në një bashkëekzistencë me një president të një partie tjetër, janë ezdauruar dhe nuk kanë fituar kur kanë aplikuar për president. Nuk mendoj që zgjedhja do të jetë në rastin e konfrontimit”, u shpreh Abazi.
“Le Pen nuk është humbëse, sepse fitoi dhe më shumë vende seç kishte dhe nuk është e thënë që pas tre vitesh do të kemi zgjedhje, sepse zgjedhje mund të kemi dhe pas një viti, në rast se këta që kanë fituar nuk arrijnë të bëjnë dot qeverisje. Kemi një koalicion të Frontin Popullor që ka kopjuar emrin e frontit të viteve ’36-’37. Edhe sot kemi një koalicion të paarsyeshëm socialist, komunist dhe është ndër koalicionet më të frikshme për Francën në aspektin e qeverisjes. Në veçanti janë të rrezikshme për Kosovën dhe për ne. Koalicioni është me këto parti, që janë po ato që protestonin në Francë kur NATO ndërhyri në Kosovë kundër Serbisë. Këta protestonin në rrugë, gjatë kohës që NATO bombardonte Serbinë”, deklaroi Goxhaj./abcnews.al