“Nuk do të tërhiqem nga gara”, Biden i vendosur: Do të mposht Trump

schedule15:24 - 8 Korrik, 2024

schedule 15:24 - 8 Korrik, 2024

Presidenti Joe Biden iu drejtua demokratëve të Kongresit në një letër të hënën, duke u thënë se nuk do të tërhiqet nga gara pavarësisht shqetësimeve në rritje për aftësinë e tij mendore dhe qëndrueshmërinë e fushatës së tij.

“Dua që ju të dini se pavarësisht nga të gjitha spekulimet në shtyp dhe gjetkë, unë jam i vendosur për të qëndruar në këtë garë deri në fund dhe për të mposhtur Donald Trump”, thuhet në letrën e Biden.

Kongresi kthehet në Uashington të martën për herë të parë që nga debati i 27 qershorit në CNN që shkaktoi shqetësime  mbi aftësinë e Biden për të siguruar një fitore për demokratët në nëntor dhe për të shërbyer katër vjet të tjera në detyrë.

Në javën pas performancës së tij katastrofike të debatit, Biden personalisht kontaktoi me afërsisht 20 demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, tha një zyrtar i fushatës për CNN, dhe ka folur me liderët e partisë duke përfshirë udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries dhe deputetet Nancy Pelosi dhe James Clyburn, me synimin për t’i siguruar ata se shqetësimet brenda partisë po dëgjohen.

Pelosi ka thënë se pyetjet rreth performancës katastrofike të Biden në debatin presidencial ishin “legjitime”.

I pyetur për komentet e Pelosit, Biden tha për ABC Neës, “ishte një ngjarje e keqe. Asnjë indikacion për ndonjë gjendje të rëndë. Isha i rraskapitur.”

Në një telefonatë me demokratët e lartë të Dhomës së Përfaqësuesve të mbledhur të dielën nga Jeffries, një sërë ligjvënës shprehën shqetësimet e tyre gjatë një bisede që një ndihmës e përshkroi për CNN si “shumë brutale”.

Këta ligjvënës, të cilët CNN ka raportuar se përfshijnë përfaqësuesit Jerry Nadler, Adam Smith, Mark Takano dhe Joe Morelle përfaqësojnë demokratët e rangut më të lartë në komisionet e Gjyqësorit, të Shërbimeve të Armatosura, të Çështjeve të Veteranëve dhe të Administratës së Dhomës së Përfaqësuesve.

/abcnews.al