75 vjet NATO! Nga një “mburojë” në Luftën e Ftohtë, në forcë të sigurisë globale

schedule08:50 - 8 Korrik, 2024

schedule 08:50 - 8 Korrik, 2024

Në fjalimin e tij të vitit 1949, gjatë nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut Verior, në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Harry Truman, u shpreh me fjalë të thjeshta për të dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë.

“Për ne, lufta nuk është e pashmangshme”, tha Truman. “Burrat me guxim dhe me vizion mund t’ia përcaktojnë fatin vetes. Ata mund ta zgjedhin robërinë apo lirinë, luftën ose paqen. Unë nuk kam dyshim se çfarë do të zgjedhin ata”.

Shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, këtë javë, organizata që u themelua nga Traktati, NATO-ja, do ta shënojë momentin kur 12 aleatët firmosën zotimin për marrëdhënie transatlantike dhe për adresimin e kërcënimit sovjetik ndaj paqes dhe sigurisë në Evropës.

I përcaktuar në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, parimi thekson se nëse njëri nga vendet nënshkruese sulmohet, ai do të konsiderohet sulm ndaj të gjithë nënshkruesve tjerë.

Sigurisht se gjatë konferencës do të theksohet se Neni 5 është vënë në përdorim vetëm një herë – pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

Për ironi, gjatë themelimit të NATO-s, Shtetet e Bashkuara qenë ndër më skeptiket e Traktatit dhe të Nenit 5.

Për SHBA-në, garancia bërthamore e së cilës do t’i jepte më pas Traktatit peshë, shpallja automatike e luftës përbënte shqetësim, sepse Kushtetuta amerikane i jep vetëm Kongresit kompetencën për të shpallur luftë, thotë John Deni, historian i NATO-s, njëherësh profesor në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë amerikane, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Por, Uashingtoni më parë kishte nënshkruar Paktin e Rios, më 1947, i cili siguronte ndihmë reciproke përgjatë Hemisferës Perëndimore, por nuk përfshinte ndonjë zotim ushtarak. Deni thotë se kjo hapi derën për pesë partnerë evropianë – Belgjikën, Francën, Luksemburgun, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar – që të flisnin me SHBA-në për mbrojtjen e përbashkët evropiane.

“Ne ishim partnerë hezitues”, pohon Deni. “Ky ishte krijim i britanikëve. SHBA-ja donte rilindje ekonomike nga Evropa”.

Ndonëse publikut amerikan iu tha se Traktati ishte mënyrë për të kundërshtuar komunizmin, Deni thotë se një “arsyetim i fshehtë” për aleancën erdhi nga nevoja amerikane për stabilitet dhe sukses ekonomik në Evropë.

Sipas fjalëve të Trumanit, NATO-ja do të ishte “mburojë që do të na mundësojë… të sigurojmë një jetë më të plotë dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë”.

Deni pohon se ngjarjet e 1948-tës – një puç në Çekosllovaki dhe bllokada sovjetike e Berlinit – kishin alarmuar SHBA-në për ndikimin e paqëndrueshmërisë në ekonominë evropiane, dhe “ndryshuan mendjet në Uashington”.

Por, Traktati u shkrua “në mënyrën që ne amerikanët e kërkuam”, thotë Deni. Ai nuk parashikoi shpallje automatike të luftës, dhe rrjedhimisht siguroi mbështetje dypartiake në Kongres.

Në fillim të 1949-tës u bë gati një projekttraktat, i cili do të nënshkruhej më 4 prill, në Uashington, në një takim të krerëve të shteteve të 12 vendeve themeluese. Bashkimi Sovjetik u njoftua se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior nënkuptonte reagimin e përbashkët për mbrojtje të anëtarëve të saj.

Teksa Uashingtoni po bëhet gati të jetë mikpritës i Samitit të NATO-s, nga 9 deri më 11 korrik, dhe të shënojë 75-vjetorin e aleancës, rëndësia e Nenit 5 dhe arritjet e NATO-s qenë në agjendën e disa organizimeve të bëra nga organizatat joqeveritare në kryeqendrën amerikane.

Disa folës theksuan se uniteti i NATO-s u testua në fund të Luftës së Ftohtë, kur aleanca më nuk përballej me kërcënimin sovjetik që Max Bergmann, drejtor i Programit të Evropës të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), thotë se ajo ishte “themeluar për ta adresuar”.

Folës të tjerë kujtuan se disa politikëbërës dhe politikanë argumentuan asokohe se NATO-ja më nuk ishte e nevojshme, përderisa të tjerë parapëlqenin adaptimin me rendin e ri botëror.

Phillippe Dickinson, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Siguri Transatlantike në Këshillin e Atlantikut, thotë se fundi i Luftës së Ftohtë nxiti “një ndryshim të vërtetë në qëndrimin dhe qëllimin e NATO-s në botë”.

NATO-ja krijoi programin e saj të Partneritetit për Paqe gjatë asaj periudhe, duke ftuar Rusinë më 1994 për t’u bërë pjesë e tij, një marrëveshje që zgjati 20 vjet, derisa Moska aneksoi ilegalisht Krimenë më 2014. Më pas ndodhën dy valë të mëdha të zgjerimit pas Luftës së Ftohtë, më 1999 dhe më 2004, kur disa vende evropiane dhe të Baltikut iu bashkuan organizatës.

Aleanca më vonë zhvendosi fokusin në operacionet ndërkombëtare, në kundërterrorizëm dhe në menaxhim krizash. Aleatët e NATO-s, po ashtu, nisën misione paqeruajtëse përtej Atlantikut Verior, përfshirë në Irak dhe në Kosovë. Përveç ruajtjes së paqes, NATO-ja ka rritur bashkëpunimin me vendet përtej Atlantikut Verior, veçanërisht në rajonin e Indo-Paqësorit.

Katër prej 35 vendeve partnere të NATO-s – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë ftuar në diskutimet e aleancës rreth kërcënimeve në Indo-Paqësor, në samitin e ardhshëm.

Përveç Indo-Paqësorit, shumica e 31 vendeve tjera partnere të NATO-s janë nga Evropa Lindore, Mesdheu dhe Lindja e Mesme.

Të gjithë anëtarët dhe partnerët e NATO-s, me përjashtim të Afganistanit, Bjellorusisë dhe Rusisë – të pezulluar – janë ftuar të marrin pjesë në samit. Ftesë kanë marrë edhe Gjeorgjia, pavarësisht miratimit më 28 maj të atij që shumë njerëz e quajnë “Ligj për agjentët e huaj” – të frymëzuar nga Rusia – dhe Ukraina, e cila pritet të përfshihet në zgjerimin e ardhshëm të NATO-s.

Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia dhe kërcënimet e reja rajonale ndaj NATO-s pritet të jenë tema kryesore në samit, por gjithashtu do të bëhet e qartë se në 75 vjetët e ekzistimit, aleanca është zhvilluar për t’u ballafaquar me më shumë se vetëm kërcënimin sovjetik, parandalimi i të cilit qe arsyeja pse ai u themelua.

Pavarësisht evoluimit, fjalët që Truman tha më 1949 ende qëndrojnë: “Metoda jonë e arritjes së unitetit ndërkombëtar, përmes bashkimit vullnetar të vendeve të ndryshme, të përkushtuara për një kauzë të përbashkët, është një hap efektiv drejt vënies së rendit në botën tonë të trazuar”./ REL

 

Top Channel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!