Protestuesit bllokuan rrugët anembanë Izraelit të dielën, ndërsa po shënohen nëntë muaj nga fillimi i luftës në Gaza.
Duke valëvitur flamujt izraelitë dhe duke brohoritur, demonstruesit i kërkuan kryeministrit Benjamin Netanyahu të jepte dorëheqjen dhe kërkuan një armëpushim që mund të kthejë pengjet që ende mbahen nga militantët e Hamasit, raporton AP.
Demonstratat vijnë pasi ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë ripërtërirë përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje, derisa gjatë fundjavës Hamasi ka hequr dorë nga një kërkesë kyçe për t’i dhënë fund luftës, sipas zyrtarëve egjiptianë dhe të Hamasit që folën për Associated Press.
Kjo mund të sjellë pauzën e parë në luftime që nga nëntori dhe të krijojë terrenin për bisedime të mëtejshme.
Lufta u shkaktua nga grupi militant palestinez pas një sulmi ndërkufitar më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng rreth 250 të tjerë.
Një ofensivë hakmarrëse ajrore dhe tokësore izraelite ka vrarë mbi 38,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit.
Pranë kufirit me Gazën, protestuesit izraelitë lëshuan 1,500 balona të zeza dhe të verdha për të simbolizuar ata që u vranë dhe u rrëmbyen.
Rreth 120 pengje mbeten të robëruar pasi më shumë se 100 pengje u liruan si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të nëntorit.
Izraeli ka arritur tashmë në përfundimin se më shumë se 40 nga pengjet e mbetura janë të vdekur dhe frika përhapet se numri mund të rritet ndërsa lufta zvarritet.