Armë e drogë në Durrës, arrestohen 15 persona, 3 shpallen në kërkim

schedule10:01 - 7 Korrik, 2024

schedule 10:01 - 7 Korrik, 2024

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar me emrin “ Summer ” u finalizua me arrestimin e 15 personave që merreshin me trafikim të lëndëve narkotike ndërsa ka kontrollet u gjetën edhe armë zjarri dhe municione.

Pas hetimeve 2 mujore, blutë e qytetit bregdetar, kanë shpallur në kërkim Dashamir Mehmetin, drejtor i shkollës artistike, “ Jan Kukuzeli ” apo siç njihet ndryshe shkolla e muzikës. Sipas hetimeve Mehmeti ka rezultuar i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Nuk dihet nëse pjesë e ‘klientëve’ të tij kanë qenë edhe nxënës të shkollës që ai drejton.

Gjatë operacionit u sekuestrua një kallashnikov, 3 pistoleta, 1 pushkë, 1 çifte, municion luftarak, qindra doza me lëndë narkotike kokainë, heroinë, kanabis, 20 telefona, 7 automjete, si dhe një shumë parash. Gjatë hetimeve mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga Prokuroria, janë bërë blerjeve të simuluara tek persona të ndryshëm, të dokumentuara këto me pamje filmike, me dron, përgjime ambientale dhe sekuestrime të lëndës narkotike.

Blerja e drogës është bërë tek persona të ndryshëm, të cilët u kanë shitur drogë agjentëve të infiltruar dhe më pas policia ka vepruar për të goditur këtë veprimtari kriminale. Ndërsa mësohet se armët janë gjetur në banesën e Zamir Hoxhës e Mehmet Metës si dhe drejtorit të shkollës që iu sekuestrua një pistoletë.

/abcnews.al