“Tre luanët” rrezikojnë në çerekfinale me Zvicrën/ Helvetët kanë luajtur më mirë, por nuk janë favoritë

schedule12:58 - 6 Korrik, 2024

schedule 12:58 - 6 Korrik, 2024

Me të drejtë i kujtuan se nuk ka asnjë finale jashtë atdheut. Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, dëgjoi në konferencën për shtyp sesi kombëtarja e “tre luanëve” ka arritur finalet e mëdha vetëm dy herë dhe që të dyja në “Uembli”, një Botëror e një Europian. Me këtë traditë, vështirë të kesh shumë besim se mund të shkëlqesh në Gjermani, edhe kur përballë ke Zvicrën.

Shpikësit e futbollit nuk kanë bindur, madje kanë qenë ndër ekipet më pak frymëzues, ndonëse mund të konkurrohen denjësisht nga Franca në këtë aspekt.

Sauthgejt e ndjen presionin dhe pritet të bëjë ndryshime në formacion dhe skemë për çerekfinalen e sotme në orën 18:00 në Këln.

Mbrojtësi Mark Geji është I pezulluar, por për fat jo Belingham. Pritet që Anglia të luajë me skemën 3-5-2, dhe me sulmuesin Tonej në krah të kapitenit Harri Kejn.

Sauthgejt nuk ka iluzione.

“Anglia është detyruar gjithmonë të luajë nën presion, dhe të përjetojë drama. Ne do të jemi përballë një kombi të fortë futbolli, një ekipi që ka luajtur shumë mirë, dhe që është jashtëzakonisht I përgatitur, e shumë krenar. Ne jemi të përqëndruar vetëm tek fakti sesi ta fitojmë këtë ndeshje, dhe sesi ne të japim më të mirën në fushë. Ju e thatë mirë, se ne nuk kemi arritur asnjë finale jashtë Anglisë në histori. Pra, nuk mund t’i nënvleftësojmë të tjerët”.

Kur themi Zvicra kemi parasysh Granit Xhakën.

Natyrisht, kapiteni nuk është I vetmi rrezik për Anglinë, pasi helvetët kanë shkëlqyer në çdo repart.

Ata kanë shënuar 7 gola, gati dyfishin e Anglisë, dhe suksesi ndaj Italisë bëri shumë përshtypje.

Edhe pse kompanitë e basteve nuk e japin favorite, Zvicra është idhulli I tifozëve në kontinent.

Trajneri Murat Jakin e stërviti ekipin duke I pasur thuajse të gjithë lojtarët në dispozicion.

Xhaka e ka lënë pas dëmtimin, dhe Vidmer kthehet nga pezullimi, e vetëm Zakaria është në dyshim.

Çfarë mendon për duelin trajneri turko-zviceran.

“Ne nuk e dimë se çfarë planifikon të bëjë Anglia. Ata kanë shumë cilësi në ekip, dhe prandaj janë deri këtu. Ne jemi në formë të mirë, në këtë ndeshje vijmë me besim dhe e kemi treguar se mund të luajmë ndaj rivalëve me emër të madh. Fituam ndaj atyr që janë kampionëve të mbrojtjes, italianëve, po ashtu luajtëm mirë ndaj një ekipi që të mbyt si Gjermania. Besoj se anglezët nuk do ta kenë të lehtë, por le të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Shpikësit e futbollit janë me bilanc shumë më të mirë, me 19 fitore, 5 barazime dhe vetëm 3 humbje.

Në 9 përballjet e fundit, ishullorët kanë 7 fitore, ndërsa suksesi i fundit zviceran mbetet ai I 1981-it, pra 43 vjet më parë.