Kryemadhi reagon sërish për Astirin: Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar

schedule19:54 - 13 Nëntor, 2019

schedule 19:54 - 13 Nëntor, 2019

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar sërish për përplasjen e banorëve me policinë te Unaza e Re ditën e djeshme, ku IKMT shembi 33 objekte.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kryemadhi thekson se një ditë përgjegjësit do e paguajnë sipas saj dhunën e ushtruar ndaj grave dhe fëmijëve.Më tej kryetarja e LSI bën thirrje për bashkim, sipas saj kundër diktaturës së krimit.

Reagimi i plotë:

Jam në mbështetje të plotë të banorëve të Unazës së Re. Dhuna dhe terrori i ushtruar nga Edi Rama dhe falangat e tij të krimit, të cilat kanë kapur Policinë e Shtetit dhe të gjitha instrumentet shtetërore, nuk është gjë tjetër veçse instalimi përfundimtar i narko shtetit dhe krimit të organizuar nën emrin e qeverisë shqiptare.

Gazi lotsjellës, dhuna që përdori policia shqiptare ndaj grave dhe fëmijëve në orët e para të mëngjesit ndaj banorëve të Unazës së Re, jo vetëm që është kriminale, por një ditë do të paguhet mirë dhe do të dalin përballë drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj njerëzimit.

Sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë diktaturës së krimit të Edi Ramës, i cili po e instalon dhe do të mbajë përgjegjësi për të gjithë kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, për pastrimin e  parave, për trafikun e drogës, për shkatërrimin e institucioneve të drejtësisë, për shkatërrimin e reformave, qoftë kjo reformës në drejtësi, reformës së administratës publike, për bllokimin e të gjitha institucioneve shqiptare.

Ai sot vazhdon akoma më shumë, në mënyrë të pareshtur, provokimin ndaj opozitës shqiptare, por mbi të gjitha duke provokuar qytetarët shqiptarë, duke i detyruar ata për t’u larguar nga Shqipëria dhe për të ndërtuar jetën e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të realizojë planin e tij anti shqiptar.

Sot më shumë se kurrë, ne duhet të jemi të gjithë bashkë, për t’u bashkuar njëherë e përgjithmonë kundër diktaturës së krimit dhe për t’i dhënë fund të gjithë atyre mbeturinave që kanë ngelur nga diktatura komuniste, që tashmë kanë veshur vellon e krimit të organizuar. Të bashkohemi të gjithë së bashku për të dhënë njëherë e përgjithmonë drejtimin përfundimtar të Shqipërisë, drejtimin drejt Bashkimit Europian, integrimit drejt Bashkimit Europian dhe për të qenë më pranë vendeve të zhvilluara. Atyre vendeve që i kanë ndenjur gjithmonë pranë Shqipërisë në momentet më të vështira./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!