U dominuan totalisht. “Të Kaltërit” e Italisë ishin të eleminuarit e parë, në fazën e 1/16-ve, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, me kampionët e edicionit të shkuar, që u mundën me rezultatin e pastër, 2 me 0, nga “Helvetët” e Zvicrës, në sy të 68.172 të pranishmëve, në “Olympiastadion”, të Berlinit dhe tashmë “Helvetët” do të përballen në çerekfinale, me “Tre Luanët” e Anglisë.
Teksa vetëm katër ditë na ndajnë nga përballja e madhe e çerekfinaleve, duket se kapiteni “helvet”, Granit Xhaka ka vendosur t’i rikthehet edhe një herë përballjes ndaj italianëve, ku në një intervistë të zhvilluar së fundmi, fillimisht theksoi faktin se nuk e pranon kurrë humbjen e më tej ka shtuar se nuk e kishte parë kurrë një Itali, kaq të dobët.
“Unë urrej të humbasë, edhe në stërvitje nuk e pranoj humbjen. Unë dhe Akanji zhvilluam një sezon të madh, ashtu si edhe tre lojtarët që vijnë nga Bologna. Në përgjithësi të gjithë lojtarët kanë bërë mirë këtë sezon dhe ne jemi të “uritur” për më shumë. Italinë nuk e kisha parë kurrë në këtë gjendje, ishte shumë në vështirësi. Mendoj se ne e fituam ndeshjen ende pa zbritur në fushë, kështu bënë edhe ata me ne para tre vitesh.
Jam shumë krenar për atë që kemi treguar, jam krenar për çdo pjesëtar të skuadrës dhe stafit, sepse kjo që kemi arritur është shumë speciale. Jo vetëm për rezultatin, por edhe për performancën dhe lojën e shprehur. Kemi luajtur në nivel të shkëlqyeshëm dhe kemi qenë mentalisht shumë mirë, edhe pse përballë kishim një kundërshtar prestigjioz.
E kishim në mendje atë disfatë 3-0 ndaj Italisë para tre vitesh. Por, këtë herë treguam shumë shpirt skuadre dhe arritëm një objektiv që ishte mëse i merituar. Çdo fitore na shton më shumë besimin, ishim të disiplinuar taktikisht edhe me topin në zotërim, por edhe kur kundërshtari e kishte topin në kontroll”,- u shpreh “ylli”, shqiptaro-zviceran. /i.m /abcnews.al