Milan po vuan prej vitesh. Problemet te kuqezinjtë janë të mëdha, paratë janë me pikatore, cilësia e ekipit nuk është në nivelin e duhur, teksa mungon edhe një emër i madh në stol.
Stefano Pioli po bën maksimumin për të rikthyer ekipin e “Djallit” te rezultatet pozitive, por ato po mungojnë. Paolo Maldini po mendon një skenar që do lumturonte tifozët e Milanit. Tuttosport raporton se ideja e fundit e drejtorit teknik quhet Carlo Ancelotti.
Trajneri i njohur po has vështirësi te Napoli. Ekipi po vuan dhe disa rezultate të tjera negative mund të sjellin shkarkimin e tij. Ancelotti është një idhull në Milanon kuqezi. 60-vjeçari ka fituar gjithçka si lojtar dhe trajner i Milanit.
Maldini dëshiron ta rikthejë në Milanello, edhe pse tentativa nuk pritet të jetë aspak e thjeshtë. Në fillim duhet të vijë ndarja nga Napoli dhe më pas duhet paraqitur një projekt serioz dhe merkato cilësore për të bindur trajnerin për t’u rikthyer në shtëpi. /abcnews.al