Po plaken institucionet

schedule13:26 - 27 Qershor, 2024

schedule 13:26 - 27 Qershor, 2024

Nga Frrok Çupi

Krimi që ndodhi në Spitalin Onkologjik është ‘pa emër’. Shtatë a shtatëdhjetë mjekë u hynë barnave të pacientëve me kancer, i vodhën, i përçudnuan, thyen aparatet e prurë me fonde publike…

I vdekuri me kancer pret vdekjen, por do të donte pak qetësi në ditën e fundit. Këta ia vjedhin edhe këtë.Janë tronditur të gjithë njerëzit. Autorët e tmerrit i ka thërritur prokuroria dhe gjykata, është mbledhur Parlamenti; vetë ministre e Shëndetit është kapur ‘pa fjalë’, mediat flasin e flasin e nuk i gjejnë fundin.

Askush nuk mund t’i gjejë emër këtij krimi. Ligji penal i Shqipërisë nuk ka emër as paragraf për këtë vepër. Domethënë Ligji është plakur, ishte për një kohë të kaluar. As tronditja, që është po e plakur, nuk është institucion. Vetë autoriteti i ministres ka rënë, përderisa as fjalë nuk ka. E kush mund të ketë fjalë? Institucionet janë kthyer në kërcunj të vjetër.

As Parlamenti, në këtë rast, nuk është institucion.

Institucionet, edhe pse ‘demokratike’ nuk punojnë më. Në vendin tonë ka plot arsye pse ndodhi fenomeni shkatërrimtar. Të njëjtat institucione, si vegla të gurëthyesit, janë përdorur atëherë kur shteti vidhte sy për sy popullin; janë përdorur edhe kur shteti ndizte barut e predha në një fshat afër kryeqytetit dhe vriste njerëz si ‘miza’; janë përdorur edhe kur kryetari i shtetit thërriste në foltoren e Parlamentit se ‘ta bëj fytyrën si shollën e këpucës’, edhe në kohën kur në pavijonin e spitalit kishte llucë, ku vinte tjetri e vriste hasmin të shtrirë në shtrat, ku duhej të merrje batanije nga shtëpia dhe ilaçe të blera nga ato që vidheshin kudo.

Të njëjtat institucione, si atëherë e si këtë herë; këto nuk besohen më, të paktën në sytë e njerëzve të vuajtur ‘nën institucione’. E, nga çfarë duhet ta dallojë njeriu se ‘ky institucion është përtërirë’?, ai njeh atë Parlament që ka njohur, atë komision që ka qenë, atë ministri, atë drejtor spitali, atë mjek që i kërkonte o paratë o shpirtin! As emrin nuk ua kanë ndryshuar sa për politesë, të paktën.

Tani vepra e institucionit veçse është modernizuar si ‘Hi Teck’, por është i njëjti, ai i vjetri.

Në të dy rastet, institucioni nuk jep zgjidhje.

Me këtë lidhet edhe fakti që njerëzit mallkojnë e kërkojnë të kthehet ligji i vjetër ‘me vdekje’, pa kuptuar se edhe ai është institucion i ndryshkur.

Sëmundja jonë e shoqërisë së tanishme vjen nga plakja e institucioneve.

Kryeministri i Republikës, Edi Rama, para dy ditësh kërkoi instrumente të tjerë të rinj për rregullimin e informimit publik. Ai mundi të ndajë përgjegjësinë mes lajmësit dhe prokurorit, por në fakt ndihej se nuk ishte mjaft; po kërkonte rinovimin e institucioneve. Prej dekadash ka institucione që duhet të rregullojnë marrëdhënien mes lajmit dhe lajmësit, mes shtetit dhe medias…, por ja që nuk bëjnë punë. E të tjerat…

A duhet të ketë një ligj të ri dhe strukturë tjetër për pacientët e Onkologjikut? Ka ndryshuar struktura e shoqërisë dhe ka ndryshuar struktura e sëmundjeve. Kanceri ndodhet në vendet e frikshme të vdekjeve. Siç edhe në gjithë botën po kërkohet përshtatje e institucioneve sipas strukturës së shoqërisë.

Ndryshe, thuaj sa të duash se ‘mjeku ka moral’, përderisa nuk ka institucion do të fusë duart në fytin e pacientit dhe në xhepin e familjes së tij.

Ndërsa krimi do të mbetet prapë ‘pa emër’.