PS mban Berishën në Kuvend/ Lindita: Arresti nga SPAK, mungesë me arsye

schedule19:24 - 26 Qershor, 2024

schedule 19:24 - 26 Qershor, 2024

Sali Berisha mungon në parlament prej gjashtë muajsh por nuk do ta humbë mandatin e deputetit. Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, pa praninë e mediave këtë të mërkurë, Lindita Nikolla argumentoi se mungesa e tij në seancat plenare në këtë periudhë kohore konsiderohet e arsyeshme për sa kohë ai ndodhet me një masë sigurie “arrest shtëpie” kërkuar nga prokuroria e posaçme dhe vendosur nga Gjykata e Posaçme, në të dy shkallët e gjykimit.

Pas mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi komentoi vendimin. Sipas tij Berisha ka qenë deputet aktiv, ndonëse në izolim.

“Sot Kryetarja e Kuvendit, lexoi drejt kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës Sali Berisha. Strukturat ligjore te kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye”.

Sali Berisha ka marrë pjesë për herë të fundit në seancën plenare të 21 dhjetorit të vitit të shkuar, kur Kuvendi vendosi heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë vendosjes së tij në arrest shtëpie. Demokrati ndodhet nën këtë masë sigurie që prej datës 30 dhjetor, si një person nën hetim për aferën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!