“Tifozët shqiptarë, shembull”, Balla takon policët shqiptarë në Dusseldorf: Nuk është evidentuar asnjë rast problematik

schedule19:39 - 24 Qershor, 2024

schedule 19:39 - 24 Qershor, 2024

Gjatë qëndrimit në Dusseldorf, Gjermani, ministri i Brendshëm, Taulant Balla takoi nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët në bashkëpunim me kolegët e tyre gjermanë janë duke u kujdesur për garantimin e sigurisë dhe rendit publik për mbarëvajtjen e Kampionatit Europian të Futbollit.

Punonjësit e policisë shqiptare janë vendosur në pika të ndryshme të kalimit të udhëtarëve si aeroporte, stacione trenash dhe autobuzash, e ku së bashku me punonjësit e Policisë Gjermane kanë kryer kontrolle të dokumentacioneve për tifozët e dyshuar.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit Policor Ndërkombëtar, ITCC kanë administruar listën e tifozëve problematik.

“Deri tani nuk është evidentuar asnjë rast problematik nga tifozat shqiptarë”, informoi Ferdinand Mara, Drejtor i Rendit, në Policinë e Shtetit.

Në fund të takimit, ministri Balla i përgëzoi për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe u uroi një qëndrim sa më të gjatë, duke siguruar edhe mbështetjen e tij si Ministër i Brendshëm në kontributin e tyre për mbarëvajtjen e zhvillimit të ndeshjeve në një atmosferë sa më të sigurtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!