Shqipëri “enigmatike” ndaj Spanjës, Sylvinho do të vendosë në fund për formacionin

schedule13:16 - 24 Qershor, 2024

schedule 13:16 - 24 Qershor, 2024

Ndoshta njeriu i stolit e ka vendosur, por kjo gjë nuk mund të pohohet.

Të gjithë ata që janë pranë kombëtares në bazën e saj në Kaiserau, dhe që janë pjesë e delegacionit “kuqezi”, nuk dinë të të thonë se cilat do të jenë zgjedhjet e teknikut Sylvinho për ndeshjen e kësaj të hëne ndaj Spanjës.

Do të luhet në Dyseldorf në orën 21:00, sfida e fundit e Grupit B, dhe ajo që me shanset më të mëdha do të na kthejë në shtëpi, por që edhe mund të na mbajë në Kampionatin Europian, me brazilianin, që pritet të dalë në fushë përballë skuadrës më në formë të turneut me skemën e zakonshme 4-2-3-1.

Porta nuk besohet se ndryshon, me Strakoshën që e ka mbrojtur mirë për dy sfida radhazi kundër Italisë e Kroacisë. Në mbrojtje ka dy balotazhe, Hysaj-Balliu në të djathtë dhe Ismajli-Ajeti në qendër. Gjimshiti e Mitaj janë të sigurt.

Në mesfushë ka dyshim mes Qazim Laçit dhe Amir Abrashit, por pritet që në krah të Asllanit të luajnë dy lojtarë me tipare më shumë mbrojtëse, dhe Ramadani është titullar. Sulmuesi kryesor mund të jetë Broja ose Manaj, ndërsa pas tij Asani e Bajrami, ose Bajrami e Seferi.

Spanja, ndërkaq, shkon me moral të lartë në këtë ndeshje. Futbollistët e “Furisë së Kuqe” u takuan me tifozët në qendrën stërvitore në Donaueshingen. Më pas, ata udhëtuan drejt Dyseldorfit.

Pritet që trajneri Luis de la Fuente të bëjë disa ndryshime në formacion. E përditshmja “Marca” parashikon ndryshime tërësore, që nga porta me Raya, pastaj Vivian, Grimaldo, Merino, Zubimendi, Olmo, Joselu dhe Oyarzabal. Rodri mungon për pezullim, Ayoze Perez për dëmtim, ndërsa të tjerët mund të lihen në stol ose në tribunë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!