As ne nuk jemi në gjendjen më të mirë të mundshme. Dy ndeshje në pak ditë dhe me nivelin e lartë të një Europiani kanë bërë që kuqezinjtë të ndjejnë lodhjen dhe ndonjëri prej tyre të shfaqë probleme. Shqetësimi kryesor vjen nga Rey Manaj.
Sulmuesi, që ishte titullar ndaj Kroacisë, dy ditë radhazi nuk është stërvitur me grupin, duke qenë i mbilodhur. Burime nga ekipi pohojnë se lojtari i Superligës turke nuk do të mungojë kundër Spanjës, por gjithsesi nuk dihet nëse do të jetë në 100 për qind të formës.
Kristjan Asllani është stërvitur me grupin, por duke e pasur gjurin të fashuar, për të mbrojtur meniskun. Për momentin, nuk ka shqetësim për të, por gjithsesi fashimi i gjurit do të thotë diçka dhe pritet që të mos ketë përkeqësim.
Sylvinho ka në dilemë sulmin ndaj “iberikëve”, pasi Daku edhe mund të pezullohet nga UEFA, e Manaj të mos jetë në formën e duhur. Zgjedhja logjike do të ishte Broja, por le të shohim.
Ndërkaq, Arbër Hoxha pritet nga të gjithë të luajë në formacion ndaj Spanjës, pas 10 minutave të shkëlqyera kundër kroatëve. Sidoqoftë skema dhe zgjedhjet e Sylvinho janë të tilla që për Hoxhën nuk ka siguri që nga minuta e parë.
Kjo, sepse në mesfushë pritet treshja Laçi-Asllani-Ramadani, ndërsa i vetmi që mund të sakrifikohet është Jasir Asani. Deri tani, trajneri gjithmonë ka besuar te shqiptari nga Shkupi. Në mbrojtje, ndërkaq, më në fund ndaj spanjollëve mund të provohet Balliu, pasi Hysaj ishte në fushë në dy ndeshjet e para në grup. /i.m /abcnews.al
SHIKONI PAMJET: