Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se i ka kërkuar homologut të vet francez, Emmanuel Macron, gjatë një bisede telefonike të premten se çështjet e rëndësishme për Serbinë, që ndërlidhen me Kosovën, të vazhdojnë të zënë vend të rëndësishëm në agjendën e Bashkimit Evropian (BE).
Vuciç shkroi në Instagram se ato duhet të jenë pjesë e agjendës “me një angazhim të fortë diplomatik, i cili synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb”.
Vuçiç tha se me presidentin francez ka diskutuar edhe për sigurinë rajonale dhe stabilitetin ekonomik.
“Theksova se avokimi për dialog mbetet themeli i politikës së Serbisë në marrëdhëniet rajonale dhe faktori më i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve të vështira me të cilat përballemi të gjithë ne”, shtoi Vuçiç.